TIRANE- Pas kritikave të deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi për arsimin e lartë dhe procesin e ndjekur gjatë Maturës Shtetërore, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka vendosur të sheshojë debatin. Teksa ishte e fituar në ‘Ora News’, Nikolla pohoi se për këtë proces ka një klimë të mirë bashkëpunimi dhe se janë anashkaluar kritikat, duke u ‘tërhequr’ nga akuzat e djeshme.

“Nuk ka as hedhje poshtë shqetësimi dhe nuk ka asnjë lloj dëshire për ta anashkaluar kritikat dhe situatat që vlejnë për të pasur një standard të ri. Është një klimë bashkëpunimi dhe dëshirë për të bërë më të mirën për maturantët. Ministrat shkojnë e vijnë, deputetët shkojnë e vijnë, partitë rriten fitojnë dhe humbin zgjedhjet, por ajo që është e rëndësishme është që cilësia dhe shkolla është aty është një pasur publike dhe maturantët duhet të ndihen të qetë dhe të qartë për të vijuar zgjedhjen e tyre që është një zgjedhje me shumë rëndësi në vijimësi të karrierës së tyre profesionale. Nuk mund të parashikohet në një skemë të re pranimesh në Universitet që një forcë politike, në momentin që maturantët janë duke zgjedhur, në momentin që universitetet kanë shpallur kriteret, në momentin që përfaqësues të universiteteve, por edhe të ministrisë së Arsimit reflektojnë qetësi dhe rregulla të cilën duhet zbatuar, një forcë politike siç është opozita që ne kemi të realizojë 22 statuse në FB, mbi 10 fjalime në parlament apo mbi 8 konferenca për shtyp në drejtimin e kundërt, e ngjizjes së një paniku në masë dhe një paqartësie tek maturantët por që nuk kishte të bënte me atë që po ndodhte. Pra nëse flasim për atë panik të stisur nga opozita unë jam kokë ulur sepse nuk mund ta parashikojë që kurrësesi një forcë politike dhe njerëz të arsyeshëm do të bënin të bënin të mundur ngjalljen e një paniku kaq të madh për një sistem që nuk është shpikje e qeverisë shqiptare, por është sistemi që sot përdoret rëndom në vendet e BE ku arsimi i lartë është prioritet dhe shënon standard cilësor në hapësirën e arsimit të lartë.

Unë jam shumë e vetëdijshme të shikoj realitetin në sy, të kuptoj se jo çdo sistem, aq më tepër që në vitin e parë të zbatimit ajo të jetë perfekte. Ndaj ne kemi axhustuar dhe po ecim shumë shpejt në kohë bashkë me institucionet tona të arsimit të lartë për të bërë të mundur informimin e maturantëve, transparencën dhe në fund të ditës për secilin prej maturantëve dilema e vetëm të jetë vetëm merita e tyre dhe konkurrenca mbi bazën e meritës ku impelemtohet një sistem i drejtë, që ka më shumë transparencë për maturantët. Sa i përket shqetësimeve, jo vetëm shqetësime që vijnë nga deputetë apo nga forca politike por edhe shqetësime që vijnë nga maturantë apo prindër të tyre ne jo vetëm i kemi ndjekur dhe i kemi shtjelluar deri në fund. Unë deri në këto momente kam takuar mbi 10 maturantë duke trajtuar çdo dilemë që kanë duke informuar jo vetëm procesin e pranimeve, por edhe si duhet të qartësojnë kriteret e universiteteve dhe ti “përplasin” ato me kredencialet me arritjet e tyre, në mënyrë që merita e çdo maturanti të jetë fituese dhe ai të jetë një pjesë e institucioneve tona të arsimit të lartë. Kjo është e vërteta.”, tha ministrja.

Ditën e djeshme, Monika Kryemadhi, kërkoi publikisht të mos përsëriten gabimet e vitit të kaluar me Maturën Shtetërore. Kryemadhi nënvizoi rëndësinë që ka matura shtetërore për gjimnazistët pasi gabimet në procesin e Maturës Shtetërore cenojnë të ardhmen e të rinjve. Ndërkohë, Nikolla iu kundërpërgjigj Kryemadhit, duke shtuar se ishte habitur nga deklarata e kësaj të fundit. Nga ana tjetër, Nikolla i ka kujtuar dhe kontributin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, bashkëshortit të Kryemadhit, në procesin e hartimit të praktikës së re të Maturës Shtetërore. Ministrja ‘sulmoi’ Kryemadhin, duke shtuar se gjithçka bëhet për disa vota më shumë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: