Videoja e publikuar në rrjetet sociale ku futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku dhe Andi Lila, shfaqeshin në dhomën e një hoteli duke u tallur me përfaqësuesit e klerit ortodoks është bërë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta.
Por nëse dy futbollistët ia hodhën “paq”, qeveria ka shprehur shqetësim për mesazhet e pëcjella në video, nga imami Ahmed Kalaja.
Ditën e djeshme Komiteti Shtetëror për Kultet i ka kërkuar zyrtarisht me anë të një letre drejtuar Komunitetit Mysliman Shqiptar, që të mos përsëriten më të tilla qëndrime si ato që shfaqte në video Ahmed Kalaja, imami i xhamisë tek “Rruga e Kavajës” në kryeqytet.
“Duke e vlerësuar këtë mesazh të dëmshëm për harmoninë fetare në vend, këtë vlerë të vyer dhe të trashëguar ndër breza të kombit tonë, kërkojmë nga ana e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, bashkëpunim të plotë me qëllim që shfaqje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, – thuhet në letrën e Komitetit Shtetëror të Kulteve, drejtuar KMSH-së.
Kujtojmë se pas publikimit të videos dhe debatit që ajo shkaktoi në opinionin publik, imami Ahmed Kalaja me anë të një postimi në “Facebook” kërkoi ndjesë për gjithçka ka ndodhur. Ai theksoi se nuk do t’i lejonte kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e tij për klerikët apo pjesëtarë të komuniteteve te tjera fetare, të ishin në kundërshtim me mësimet e Islamit.
Por duket se as ndjesa publike nuk iu ka mjaftuar autoriteteve shtetërore që të kërkojnë nga Komuniteti Mysliman penalizimin e tij.
Në prag të ndeshjes me Italinë, dy lojtarë të Kombëtares, Andi Lila dhe Armando Sadiku u përfshirë në një videoskandal, bashkë me hoxhën Ahmed Kalaja, ku tallen me besimin fetar të krishterë. Biseda u zhvillua në një dhomë hoteli, kur imami Ahmed Kalaja kishte shkuar për t’i vizituar.
Ndonëse ka qenë imami Kalaja ai që e nxit Lilën të tregojë historitë me priftërinj në skuadrën greke ku luan (PAS Giannina), ky i fundit nuk hezitoi t’i tregojë një episod, kur prifti hyn në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë i puthin dorën.
Duke u tallur me vizitat e shpeshta të priftërinjve tek skuadra ku luan, Lila shtonte se ai nuk e ka bërë një veprim të tillë, pra që t’i puthte dorën. Tregimi i tij shoqërohej me të qeshura si nga Sadiku ashtu edhe nga imami Ahmed Kalaja.
(BalkanWeb)