Nga MIRON ÇAKO
Në këtë kohë që po jetojmë, pavarësisht civilizimit shoqëror, i rregulluar me deklarata të të drejtave të njeriut, ligje për mbrojtjen e individëve apo grupeve të përndjekura, organizata, shoqata globale, përsëri mund të themi edhe paradoksalisht se po jetojmë në kohë përndjekjeje, në kohë martirësh. Por këta martirë pavarësisht emrit të përbashkët që ia vënë vetes ose të tjerët, ndahen në dy grupe, për nga koncepti dhe përqasja ndaj martirizimit dhe janë diametralisht të kundërt, sepse një palë quhet martir se martirizohet, vuan dhe vdes pa bërë rezistencë, kurse një palë martirizon veten dhe të tjerët.

Por çfarë do të thotë martir?

Martir vjen nga greqishtja (martiria) që do të thotë etimologjikisht dëshmor, d.m.th. ai që dëshmon në lëmin historik, juridik edhe atë fetar. N.q.s. e shohim martirin vetëm në aspektin fetar, atëherë problemi bëhet më i ndërlikuar për t’u zgjidhur, sepse të dyja palët preferojnë martirizimin si veprimi që tregon besnikëri të përsosur ndaj Zotit dhe i bashkon më shpejt me Atë në parajsë. Por kjo duket e pamundur sepse krijon idenë që Zoti që është një, të ketë dy standarde dhe të pranojë si martirë njësoj dhe njëkohësisht si viktimën dhe atë që viktimizon të tjerët dhe veten njëkohësisht.

Çfarë është në krishtërim një martir?

Por në përdorimin e caktuar nga tradita e krishterë, emërtimi martir përdoret vetëm për ata që dëshmojnë me gjak besimin e tyre në Perëndinë dhe në Krishtin. Këta ishin dhe janë njerëz me mish dhe gjak si ne, të moshave nga fëmijë, të rinj, të reja, të rritur, të moshuar në pleqëri të thellë, si individë, familje ose grup, të varfër ose të pasur, të thjeshtë ose me pozitë, fisnikë dhe mbretër që jetuan në kohëra të ndryshme, me profesione të shumëllojshme, por që të gjithë i bashkon dhe i vëllazëron dashuria deri në martirizim për Perëndinë, që i bëri të ngjashëm dhe vëllezër me Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, që është kurora e martirëve.

Jisu Krishti është kreu në kuptimin më të lartë të martirit për Zotin, modeli dhe tipi i përsosur i martirit. Në flijimin e tij të pranuar vullnetarisht si: “qingji i Perëndinë që shlyen mëkatet e botës” (Jn. 1:29) Krishti jep dëshmi më të lartë të besnikërisë, të misionit që i ka besuar Ati i tij. Gjithë zbritja dhe shfaqja në botë e Birit të Perëndisë në mish njerëzor, tregon dashurinë e Perëndisë për njeriun ashtu si vetë Krishti tha: “kaq shumë e deshi Zoti botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në Të të mos humbasë por të ketë jetë të përjeshme” (Jn. 3:16). Por gjithashtu martirizimi i Krishtit është përgjigjja e përsosur e dashurisë flijuese të Birit të Njeriut në emër të njerëzimit ndaj Perëndisë, i cili tha për vete: “sepse unë nuk kërkoj vullnetin tim por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Jn. 5:30). Shpëtimi i Perëndisë për njerëzit kalon domosdoshmërit përmes vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit, sepse mëkati i njerëzimit lahet me gjak, jo me atë të kafshëve, deleve qingjave por me atë të vetë Krishtit të martirizuar në kryq, si apostull Pavli shkruan: “Zoti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren jo me gjakun e cjepve dhe viçave, por me gjakun e vet dhe fiton një shpengim të përjetshëm” (Heb. 9:12)

Martirizimi i lavdishëm i Krishtit ka themeluar Kishën e krishterë. Ashtu si nga brinja e Adamit doli Eva nëna e të gjallëve po ashtu nga brinja e shpuar me heshtë e Krishtit të kryqëzuar, e cila buron ujë dhe gjak rilind dhe ushqehet Kisha. Gjaku i Krishtit lidh gurët e ndërtesës së Kishës, ku gur i qoshes është vetë Ai. Prandaj jo vetëm Zoti Krisht dha dëshminë e besnikërisë ndaj Perëndisë me gjak por edhe vetë Kisha që është trupi i Tij, është thirrur t’i japë Zotit dëshmi me gjak për shpëtimin e njerëzve. Prandaj në Kishën e Krishtit besimtari martir, merr një kuptim të ri, ai është imitim i vetë Krishtit, pjesëmarrja e plotë në dëshminë dhe në veprën shpëtimtare të Krishtit siç mësoi vetë: “shërbëtori nuk është më i madh se i zoti, nëse më kanë përndjekur Mua do t’ju përndjekin edhe juve” (Jn. 15:20)
Gjaku i martirëve bashkohet me gjakun e Krishtit dhe bëhet shkak për shpëtimin e botës, ashtu si përsëri apostull shën Pavli thotë: “Tani gëzohem në pësimet e mia për ju dhe mbush mungesat e shtrëngimeve të Krishtit në mishin tim për trupin e Atij që është Kisha” (Kol. 1:24). Të gjithë të krishterët besnikë pasi morën kryqin dhe ndoqën Jisuin deri në flijim kontribuojnë në rritjen e Kishës në mbarë botën. Kjo është arsyeja që atje ku martirizohet një martir ndërtohet një Kishë, ku zbret hiri i Perëndisë për të shenjtëruar vendin dhe njerëzit. Në kanonet e Kishës Orthodhokse nuk mund të kryhet Liturgji në asnjë altar ku nuk ndodhen lipsane martirësh prandaj në Liturgjinë Orthodhokse përdoret Andiminsi, një pëlhurë që vendoset mbi altar dhe në cepat e saj ka lipsane shenjtorësh martirë. Nuk ka Kishë Orthodhokse që nuk është ngritur mbi gjakun e martirëve që së bashku me gjakun e Krishtit i bën të patundura themelet e çdo kishe lokale në çdo vend që edhe: “dyert e hadhit nuk do të kenë fuqi përmbi të” (Math. 16:18)

Mundimet e Jisuit nxjerrin në pah tiparet që do të preokupojnë këtej e tutje martirin. Ashtu si Jisuit në agoninë e tij iu shfaq një engjëll për t’i dhënë fuqi gjatë martirizimit vullnetar ashtu edhe martiri do të ketë ngushëllimin e Hirit Hyjnor në sprovën e tij. Martiri sipas shembullit të Krishtit do të qëndrojë me durim para akuzave dhe gënjeshtrave siç qëndroi dhe Krishti para sinedrit, Pilatit dhe Herodit që e akuzonin padrejtësisht. Ashtu si Krishti i fali armiqtë e tij në kryq duke thënë: “fali o Atë se nuk e dinë çfarë bëjnë” (Lk. 23:34) edhe martiri duhet t’i falë armiqtë e tij në martirizim dhe ashtu si Krishti duroi deri në fund martirizimin e tij dhe dorëzoi shpirtin tek Ati duke thënë: “në duart e tua e jap shpirtin tim” (Lk. 23:46) po ashtu dhe martiri do durojë deri në fund dhe do të dorëzojë shpirtin e tij tek Zoti. Këtë imitim të martirit në Krishtin e gjejmë të përmbushur te martirizimi i Shën Stefanit, që ashtu sipas imitimit të Krishtit u lut për armiqtë që po e godisnin me gurë duke thënë: “o Zot Jisu prano frymën time dhe si ra në gjunjë thirri me zë të lartë tha: “O Zot mos ua ngarko atyre këtë mëkat dhe siç tha këto fjeti (vdiq)”(Vep. 7:59-60). Shën Stefani nderohet nga Kisha Orthodhokse si i pari martir i Krishtit dhe frymëzim, për të tjerë martirë pas tij deri në fund.
E gjithë reja e martirëve është e madhe, numri i tyre është si ai i yjeve të qiellit i cili vazhdon të shtohet me martirë të rinj deri më sot dhe deri në fund të kohës: “derisa të plotësohet numri… i tyre që duhet të vriten porsi ata” (Zb. 6- 11). Vetëm gjatë tre shekujve të parë në sinaksarët e Kishës janë regjistruar 11 milionë të krishterë dhe meqenëse numri i martirëve shtohej çdo ditë dhe ishte e pamundur për t’u regjistruar të gjithë, Kisha në kalendarin liturgjik vendosi një ditë për nderimin e gjithë martirëve të panjohur. Më vonë në këtë ditë u vendos dhe nderimi i të tjerë shenjtorëve që u shenjtëruan me martirizimin e ndërgjegjes (murgjërit) dhe kjo ditë u quajt dita e të gjithë shenjtorëve.

Kisha Orthodhokse këta martirë i ndan në grupe të veçanta për të treguar meritat e tyre. Martirët që u dalluan për rezistencë të fortë dhe kohëzgjatja e torturave ishte e madhe, Kisha nuk i quan thjesht martirë por martirë të mëdhenj. Ata martirë që vijnë nga radhët e klerit i quan hieromartir. Ata martirë të cilët qëllojnë të bëjnë pjesë në shtresën e asketëve dhe murgjërve karakterizohehen si oshënarë martirë. Ata të cilët u martirizuan për besimin e Krishtit gjatë viteve të vështira të rënies së Konstandinopojës ose që u martirizuan gjatë kohës së pushtimit turk dhe nga çdo pushtet dhe dhunë antikrishte deri në ditët e sotme përbëjnë atë që quhet renë e martirëve të rinj, ose neomartirët.

Të gjithë këta martirë dhanë frymën e tyre te Perëndia mbas vuajtjeve të rënda, të shkaktuara nga mania e djallit që frymëzonte xhelatët e tyre, që t’i frikësonin dhe t’i bënin të mohonin besimin e tyre. Kaq të frikshme ishin këto tortura sa kur ne i lexojmë të përmendura në sinaksarët e shenjtorëve na duken hiperbolike dhe të pabesueshme. Në fillim xhelatët i tundonin martirët me oferta për t’iu falur jetën. Në qoftë se ata do të mohonin besimin ose do t’ju flijonin idhujve ju premtonin pasuri, ndere, grada, p.sh. shumë vajzave shenjtore si shën Ekaterina, shën Parashqevia, shën Irini iu premtua martesë nga vetë mbretërit dhe kur ato nuk lëkundeshin në besimin e tyre u përmendnin llojet e torturave dhe iu tregonin mjetet e frikshme dhe pastaj fillonte tortura, në fillim kamxhikimi me kamxhik ose me shkopinj. Shpeshherë këto mjete torture hapnin plagë të frikshme në të gjithë trupin ku prej tyre dilte gjak, që e skuqte gjithë trupin e martirit, që ngjante si një copë mishi e varur në çengel, pastaj i shqyenin brinjët dhe trupin me thonj të hekurt dhe iu hidhnin në kurriz kripë, uthull dhe ia fërkonin plagët me rroba të leshta duke i lënë ashtu të paralizuar. Iu vishnin lëkura kafshësh dhe i lyenin me gjak dhe i hidhnin në arenë që t’i shqyenin bishat. Ilyenin me serë dhe i digjnin me pishtarë si p.sh. për të ndriçuar oborret e Neronit. Ua ndanin trupin më dysh duke i lidhur gjymtyrët në pemë të ulura me forcë që kur ato drejtoheshin e ndanin trupin e martirit më dysh. I lidhnin mbas kuajve dhe i tërhiqnin zvarrë nëpër rrugë që skuqej nga gjaku i martirit ose i hidhnin në kazan, që zienin vaj të nxehtë dhe serë ose i piqnin në tigan, i shqyenin trupat e tyre me rrotën lëvizëse me shumëllojshmëri thikash të mprehta që sa herë rrotullohej priste trupin e martirit, i rripnin të gjallë, iu prisnin gjymtyrët, i linin të vdisnin nga uria edhe etja dhe më në fund kur nuk kishin çfarë t’ju bënin më, iu prisnin kokat.

Por si është e mundur që martirët të duronin këto tortura të frikshme të cilat xhelatët ua bënin jo vetëm martirëve të fortë fizikisht që mund të duronin por edhe vajzave të brishta ose pleqve dhe vetë fëmijëve. Këtë frymëzim dhe këtë fuqi për të duruar torturat e frikshme martirët qoftë dhe fëmijë, e merrnin nga hiri i Perëndisë. Vetë Zoti Krisht tha: “pa mua nuk bëni dot asgjë” (Jn. 15:5) aq më shumë të martirizohet dikush me tortura. Martiri thjesht si njeri ngjan si një tel që mund ta copëtosh, mund ta përdredhësh si të duash, por në qoftë se teli lidhet me burimin e energjisë bëhet i paprekshëm dhe vdekjeprurës për ata që e prekin pa kujdes. Martirët duke qenë në lutje të pandërprerë ishin të mbushur me Hirin, energji të Shpirtit të Shenjtë vetë Zoti bashkëvuante dhe duronte me martirët. Apostull shën Pavli i cili vuajti aq shumë për hir të emrit të Krishtit tha: “Sepse juve iu është falur për hir të Krishtit, jo vetëm t’i besoni Atij por edhe të pësoni për Të” (Fil. 1:29)

Martirët ndryshojnë shumë nga ata të tjerë që vdiqën nën dhimbjen e torturës nga armiqtë e tyre ose për shkak të gabimeve dhe shkeljes së ligjit. Martirët vdiqën për të vërtetën absolute dhe dashurinë e përsosur që janë të mishëruara në Krishtin Zot, prandaj dhe martirët dhanë frymën me emrin e Krishtit në gojë. Ata u torturuan pa bërë diçka të kundërligjshme apo në dëm të të tjerëve por vetëm se donin Zotin dhe e thanë të vërtetën me fjalë dhe me vepra. Pra i urryen pa shkak, ashtu si urryen dhe Krishtin që tha për armiqtë e tij: “Kush më urren mua, urren edhe Atit tim,… por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre, më kanë urryer pa shkak”(Jn 15-24) Ata kishin mundësi të zgjidhnin t’ju shmangeshin torturave vetëm në qoftë se do mohonin besimin të paktën vetëm me gojë, ose me ndonjë gjest dhe kjo do t’ju siguronte jo vetëm jetën por dhe pozita apo pasuri. Por ata nuk i pranuan duke i quajtur të gjitha si pleh përpara Krishtit, i cili e fton martirin: “ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës” (Zb. 2:10)

Martirët vdiqën duke bekuar dhe duke falur armiqtë e tyre, ndryshe nga të tjerët që urrenin dhe mallkonin xhelatët në kohën e torturës. Kjo gjë është e pazakontë për natyrën e dobët njerëzore dhe për sytë e njerëzve ata janë mbinjerëzorë, madje shpeshherë i akuzonin si magjistarë, por ata pohonin se ishte forca e besimit që i bënte të tillë. Me durimin e tyre mbinjerëzor ndikonin edhe tek vetë xhelatët të cilët nga persekutues, u persekutuan sepse edhe ata pohuan se janë të krishterë. Është mallëngjyes fakti në jetën e 40 martirëve që u dënuan me vdekje të ngadaltë nga të ftohtit në Sebaste të Armenisë viti 320. Një nga ushtarët që persekutonin 40 martirët u prek nga durimi i tyre që vuanin gjithë natën të ftohtin e liqenit të akullt dhe kur një nga të 40-ët dezertoi nga frika e vdekjes, ushtari pa se nga qielli zbritën 40 kurora, 39 qëndronin mbi kokat e 39 martirëve kurse një qëndronte në ajër. Ushtari pagan u ndriçua nga ky vizion dhe tha thirjen martirike: edhe unë jam i krishterë, u zhvesh dhe u bashkua me grupin e martirëve duke rrëmbyer kurorën e 40.

Martirët pavarësisht se në sytë e njerëzve paganë, antikrisht, ateist duken si njerëz të dobët, të mundur madje dhe të marrë se pranojnë edhe sot çnderime, tortura dhe vdekje në emër të një farë Jisui të kryqëzuar, por gabohen, sepse ashtu si armiqtë e Krishtit nuk e panë ngjalljen e lavdishme të Krishtit po kështu ata nuk mund ta shohin dot lavdinë që Krishti ju ka rezervuar martirëve në jetën e përjetëshme në Mbretërinë e Perëndisë. Në librin e Urtësisë së Solomonit na thuhet: “shpirtrat e të drejtëve janë në duart e Perëndisë dhe ata nuk do t’i prekë aspak vështirësia e vdekjes. Në sytë e të marrëve u dukën se vdiqën dhe kalimi i tyre nga kjo jetë u duket si ndëshkim. Ndarja e tyre prej nesh si asgjësim, kurse ata janë në paqe. Por edhe nëse në sytë e njerëzve e sprovuan ndëshkimin sepse shpresa e tyre ishte plot pavdekësi, për një vuajtje të lehtë do të fitojnë të mira të mëdha sepse Perëndia i vuri në sprovë dhe i gjeti të denjë për vetveten” (Ur. Sol. 3:1-5). Për lavdinë e martirëve na tregon libri i fundit i Biblës: “Pashë dhe ja një turmë e madhe të cilën askush nuk mund ta numëronte prej gjithë kombeve dhe fiseve, kombeve dhe gjuhëve, këta qëndronin në këmbë dhe përpara Qingjit (Krishtit), të veshur me petka të bardha dhe me palma në duar dhe bërtisnin me zë të madh duke thënë shpëtimi është i Perëndisë sonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit…këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh dhe kanë larë rrobat e tyre me gjakun e Qengjit, prandaj janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbejnë Atij ditë e natë në tempullin e tij, edhe Ai që rri ulur mbi fron do të rrijë mbi ta, nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë më etje, as nuk do t’i godasë më dielli fare ose çfarëdo vape sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhe do t’i prijë te burimet e ujërave të gjalla dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre” (Zb. 7:9.15.17)

Pavarësisht se jo të gjithë të krishterët janë të thirrur të martirizohen me gjak, të gjithë janë të thirrur të martirizohen me martirizimin e ndërgjegjes d.m.th. të përballesh me durim dhe vetëmohim me tundimet e djallit, të frymës së botës, padrejtësitë e njerëzve dhe dobësitë personale, sëmundjet dhe fatkeqësitë ashtu si mëson apostulli i kombeve Pavli: “të gjithë ata që duan të rrojnë në perëndishmëri në Krishtin Jisu do të përndiqen.” (II Tim. 3:12) Por martirët nuk do të humbasin, sepse Zoti Krisht tha: “Ai që fiton do t’i japë të ulet me mua në fronin tim, sikurse unë fitova dhe u ula me Atin në fronin e tij” Amin”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb