Nga KLODIANA LALA

TIRANE- Pas izraelitit Yoram Frig, një shtetas grek u ndalua të dielën në aeroportin e Rinasit, pasi në bagazhin e tij u zbulua një pajisje e dyshimtë, e ngjashme me atë të izraelitit.

Iraklis Dragounis, 52 vjeç, u ndalua në momentin që po kalonte skanerin, e mandej do të linte Shqipërinë.

Oficerët e policisë informuan prokurorinë, e cila vendosi t’i bllokojë pasaportën inxhinierit grek 52-vjeçar, derisa të sqaroheshin rrethanat e çështjes, ndërsa pajisja që dyshohet se kryen përgjime, do t’i nënshtrohet ekspertizës.

Shtetasi grek është shoqëruar më pas në ambientet e drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ka dhënë shpjegime të detajuara për hetuesit.

Burime të besuara të “BalkanWeb” thanë se Iraklis Dragounis ka deklaruar se kishte ardhur në Shqipëri, pasi ishte kontraktuar nga një kompani celulare për të detektuar antenat e saj, nëse kishte ndërhyrje. Greku ka refuzuar të deklarojë emrin e kompanisë, pasi siç theksuan burimet ai e konsideron si sekret tregtar dhe që binte ndesh me marrëveshjen e bërë me kontraktuesin.

Ai është shprehur se aktiviteti i tij është i ligjshëm, dhe se kompania që drejton është e regjistruar në Qipro.

Në kuadër të hetimit që po kryhet, burimet thanë për “BalkanWeb” se shtetasi grek ka hyrë në Shqipëri edhe të paktën 10 herë të tjera.

Ndalimi i Iraklis Dragounis, vjen pak javë pasi po në Rinas u ndalua izraeliti Yoram Frig.
Ky i fundit u largua nga Shqipëria, pasi Prokuroria vendosi të mbyllë hetimet për rastin, pasi ekspertët arritën në përfundimin se pajisja e tij nuk kryente përgjime, por detektonte për përgjues.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb