-
VLORE– Shkarkimet e ditëve të fundit të disa punonjësve të administratës me motivin se janë përfshirë në fushatë elektorale, kanë ngjallur jo pak reagime. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar këtë një shkelje të të drejtave të njeriut. Por kryeministri Rama ka larguar përgjegjësinë nga vetja, për këto shkarkime, duke u shprehur se nuk është i përfshirë në këtë proces.
Në një intervistë nga Vlora për gazetaren Eni Vasili, Rama tha në emisionin “Studio e Hapur”, se për këtë u vendosën në qeveri ministrat teknikë dhe zv.kryeministrja. Sipas Ramës, është një numër i caktuar rojesh elektorale në qeveri, ata të cilët bëjnë këto ndryshime.
“Unë nuk shkarkoj askënd. Dhe nuk janë fare pjesë e këtij procesi. Kjo qeveri u krijua pikërisht për këtë gjë. U pranuan të përfshihen në qeveri një numër i caktuar rojesh elektorale. Këto roje elektorale për këtë punë kanë ardhur. Edhe zv.kryeministrja, ashtu si unë kisha propozuar më parë, është në krye të një grupi rojesh. Kur të thërrisni presidentin e zgjedhur, pyeteni për këto, dhe ai do të përgjigjet”, tha kryeministri Rama.
(el.sp/BalkanWeb)