Nga: ZONJA VJOLLCA
300 gr fileto pule
250 gr asparag
200 gr kërpudha
200 gr domate qershi
150 gr bizele
600 gr spinaq i freskët
1 qepë, 1 lgj gjalpë
Kripë, piper, arrë moskat
2 lgj vaj ulliri
4 vezë, 200 ml pana
200 gr krem kosi
1 lç lëkurë limoni
½ lç kurkuma

Fillimisht lajmë asparagët, presim fundet e tyre që janë të forta dhe i vendosim në ujë të vluar me kripë për rreth 5 minuta, më pas i kullojmë. Ndërkohë pastrojmë kërpudhat dhe i presim në katërsh ose në feta nëse ato janë të mëdha. Domatet qershi i presim në gjysma, qepën e grijmë imët dhe më pas lajmë spinaqin dhe bizelet duke i kulluar mirë. Vendosim tiganin në zjarr, kaurdisim qepën me 1 lugë gjalpë dhe sapo ajo të zbutet shtojmë spinaqin dhe e kaurdisim derisa të ulë volumin. Më pas e rregullojmë me kripë, piper të zi dhe arrë moskat dhe e vendosim spinaqin si bazë në tavën që do të përgatisim. Filetot e pulës i presim në shirita dhe në një tigan me një lugë vaj ulliri skuqim copat e mishit derisa ato të zverdhen pak. Më pas shtojmë kërpudhat dhe i kaurdisim për 2-3 minuta duke i spërkatur me kripë dhe piper të zi. Në një tas rrahim 4 kokrra vezë me kremin e panës dhe kremin e kosit. Pasi i rrahim mirë shtojmë kripë, piper të zi, kurkumën dhe lëkurën e limonit të grirë imët. Në një tas tjetër përziejmë mishin e pulës me kërpudha, domate, bizele, asparag dhe salcën e përgatitur me vezë. Të gjithë këtë masë e shtrojmë mbi bazën me spinaq në tavë dhe e vendosim në furrën e parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 30 minuta. Pasi e nxjerrim nga furra e spërkasim me pak piper të zi të freskët nga mulliri dhe e shërbejmë.
(er.cu/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb