“Seriozisht e ka ky shqiptari!? O Zot, çfarë pritjesh! Ky qenka monstër”. Kështu u çuditën dje tifozët moldavë të Sherif Tiraspolit. Në portalin më popullor sportiv në Moldavi, “moldfootball.com”, ku ndeshja u transmetua direkt, me qindra komente të tifozëve të Sherifit, ishin enkas për Enea Koliçin.

“Kukësi po luan fort dhe po na provokon, por ama kanë një superportier, duhet ta pranojmë. Kështu nuk ka shanse t’i shënojmë”, thoshte një prej tifozëve. “Vetëm me penallti mund ta mundnim ekipin shqiptar. Portieri qenka i çmendur”, vijonin komentet për paraqitjen mbresëlënëse të Koliçit.

SIRENA FRANCEZE
Me “çmenduritë” e djeshme, e sigurt është që Koliçi i ka shtuar shumë bonuse vetes dhe e ardhmja e tij është e destinuar të jetë jashtë Shqipërisë. Dy klube në Ligën 1 franceze, Angers dhe Amiens, prej kohësh interesohen për portierin. Koliçit i përfundon kontrata me Kukësin kur skuadra mbyll angazhimin në Ligën e Kampioneve.

“Panorama Sport” mëson se pogradecari, i cili ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 dhe i grumbulluar disa herë me Shqipërinë A, ka pasur mundë- si të firmosë në një klub të huaj gjatë kësaj periudhe, por klauzola që ka pasur në kontratë me Kukësin për Kupat e Europës, e ka penguar portierin.

Kolici-2

TRAJNERI ITALIAN
Edhe trajneri italian i Sherif Tiraspolit, Roberto Bordin, u mahnit nga Koliçi. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai deklaroi: “Ishte një ndeshje e vështirë, por të gjithë i pamë rastet që patëm për të shënuar. Rezultati 1-0 është i mirë, por sigurisht që nuk na pëlqen shumë, për shkak se shpërdoruam pa fund.

Megjithatë, kjo edhe për meritë të portierit të Kukësit, por edhe për shkak të mungesës së fatit nuk ia arritëm të fitonim me rezultat më të thellë. Kundërshtari ynë luftoi për çdo top dhe tregoi karakter, por ne duhet të jemi të kënaqur me fitoren.

Tani kemi kohë për të përgatitur sfidën e kthimit, e cila gjithashtu do të jetë e luftuar. Kukësi ishte më i freskët sesa ne, por treguam se jemi në moment të mirë.

Një skuadër që krijon kaq shumë raste dhe sulmon pafund, tregon që është mirë fizikisht dhe nga ana psikologjike. Luajtëm pa frikë, duke e sulmuar rivalin, por edhe duke u sakrifikuar. Skema? Në pjesën e dytë duhet të ndryshoja për të shfrytëzuar më shumë rastet dhe për të ngjeshur lojtarët në sulm”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb