NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

1 pako peta
600 gr qepë
800 gr domate të pjekura
Kripë, piper i zi
2 speca jeshil (alternative)
Pak rigon ose nenexhik
Vaj ulliri
Pergatitja
Qërojmë fillimisht qepët dhe i presim ato në kubikë mesatare jo shumë të imta. Më pas qërojmë domatet nga lëkura dhe tulin e tyre e presim në copa mesatarisht si qepa.
Vendosim tiganin me 4 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim qepën derisa ajo të zbutet duke e ndihmuar me pak fare ujë. Kujdes, pasi qepa nuk duhet të marrë ngjyrë të erret. Shtojmë më pas specat të prerë në kubikë dhe i lemë sa të zbuten pak së bashku me qepën. I rregullojmë me kripë duke shtuar domatet të cilat i lemë të ziejnë së bashku me qepën dhe specat për 10 minuta. E rregullojmë në fund shijen me kripë, piper dhe pak sheqer. Pasi e largojmë mbushjen nga zjarri hedhim një majë luge rigon dhe e lemë të ftohet pak (mbushja nuk duhet të ketë shumë lëng).

Lyejmë tepsinë me pak vaj dhe vendosim petët duke i spërkatur me pak vaj dhe pak ujë. Shtrojmë 6 petë poshtë dhe vendosim një shtresë të hollë me mbushje dhe më pas shtrojmë 2-3 petë të tjera dhe mund të vendosim dhe një shtresë tjetër të hollë mbushje. E mbulojmë mbushjen me petë duke e spërkatur me pak vaj, mbledhim anët dhe e vendosim byrekun në furrë për tu pjekur në temperaturën 190 gradë Celsius për 25-30 minuta (ky byrek mund të bëhet me 1,2 ose 3 shtresa sipas preferencave).
(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb