TIRANE- Policia e Shtetit jep detaje për sekuestrimin e pronave të Klement Balilit, që me sa duket ka qënë pjesë e operacionit ‘Forca e Ligjit’.

Duke ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, policia thotë se ka sekuestruar ish-kampin e Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel ‘Santa Quaranta’, plot 28,690 m2 truall dhe 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.

Sakaq mësohet se këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Policia thekson se “grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet“.

DEKLARATA E PLOTE
Policia e Shtetit ka rregjistruar në datën 3 prill 2016 procedimin penal me nr.44 për trafikim lëndësh narkotike për grupin e njohur si ‘Balili’ me aktivitet kriminal kryesisht në jug të vendit.

Paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktivitet kriminal.

Mbi bazën e këtij materiali, Prokuroria për Krimet e Rënda ka rregjistruar procedimin pasuror nr.5, të vitit 2017, për hetim pasuror për gjithë lidhjet familjare të grupit “Balili”.

Mbi bazën e këtij materiali policor, bazuar në ligjin nr.10192, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafkimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masa parandaluese kundër pasurisë”, (i njohur si ligji “Antimafia”), Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosjen nën sekuestro të aseteve.

Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë:

– ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel ‘Santa Quaranta’;
– 28,690 m2 truall;

– 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.

Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet.

Policia e Shtetit fton këdo që disponon të dhëna apo informacione të vlefshme për identifikimin dhe zbulimin e pasurive apo aseteve të tjera në pronësi të personave të mësipërm apo lidhjeve të tyre të afërta, të telefonojnë në numrat falas 112 dhe 129, duke garantuar ruajtjen e anonimatit dhe goditjen e ashpër të elementëve anti-ligjore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb