KORCE- Plot 12 marrëveshje të përbashkëta janë nënshkruar ditën e sotme nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, pas mbledhjes së përbashkët të mbajtur në qytetin e Korçës. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama tha se këto marrëveshje bashkëpunimi synojnë zhvillimin e mëtejshëm të dy vendeve dhe integrimin e përbashkët në familjen europiane. Mes të tjerash ai iu përgjigj edhe presidentit serb të Bosnjës për deklaratat e tij në lidhje me Kosovën.

“Ballkani është i lirë, secili ka ëndrrat e veta. Ne nuk jemi këtu për të komentuar ëndrrat e të tjerëve”, tha Rama.

Ndërkaq, kryeministrat Rama dhe Haradinaj i janë shmangur pyetjeve në lidhje me situatat politike në Shqipëri dhe Kosovë.

Kryeministri Rama është pyetur mbi zgjedhjen e kryeprokurorit të ri në Shqipëri, ndërsa kryeministri Haradinaj për arrestimin e Albin Kurtit. Por të dy kryeministrat kanë shmangur përgjigjet, duke thënë se këto çështje nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve dhe e axhendës së mbledhjes së përbashkët të qeverisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u ndal tek marrëveshjet e realizuara me qeverinë e Kosovës, dhe tek realizimi i tyre.

“Jam shumë i nderuar që sot ne kemi mysafirë në Korçë, kryeministrin Haradinaj dhe ministrat e tij. Dy qeveritë tona ritakohen pas pak më shumë se një viti, dhe pas tri mbledhjeve në radhë, të cilat kanë vënë themelet e qëndrueshme të një partneriteti strategjik, gjithëpërfshirës në një kudër të gjerë bashkëpunim. Mbledhja që sapo mbyllëm flet vetë për një bilanc arritjesh të rëndësishme dhe angazhimesh të rëndësishme, bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot.

Ne kemi marrë këto angazhime mbi bindjen se ka ende shumë për të bërë, por edhe se mundësitë janë aty, dhe praktikisht që nga mbledhja e parë në Prizreni në vitin 2104 e kemi pasuruar këtë kuadër bashkëpunimi me disa pjesë të rëndësishme, ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e kuadrit mbetet për t’u plotësuar. Me vjen mirë që të tërë hapat e ndërmarrë janë të mirë përcaktuar me një drejtim të përbashkët strategjik. Nuk dua të ndalem një për një në të gjitha marrëveshjet që sapo kemi nënshkruar, pasi janë transparente dhe mund t’i ktheheni për çdo rast.

Dua të them se ne jemi të vendosur për të fuqizuar më tej ndërveprimin e përbashkët, qoftë në marrëdhëniet tona bilaterale si dy shtete shqiptare, qoftë në qasjen tonë rajonale, dhe në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë në familjen europiane. Dua të nënvizoj faktin se këtë herë kemi marrë angazhime të rëndësishme sa i takon diasporës shqiptarë. Synojmë promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, por edhe për programet e mësimit në gjuhë shqipe”, u shpreh kryeministri Rama.

Pyetjet nga gazetarët:
Pyetja është për dy kryeministrat; si i përgjigjeni deklaratës së presidentit serb i Bosnjës që e quan “armike” ambasadoren e Shteteve të Bashkuara.
Rama:
Ballkani është i lirë, secili ka ëndrrat e veta. Ne nuk jemi këtu për të komentuar ëndrrat e të tjerëve.

A mund të mbahet mbledhja e qeverisë në Mitrovicë?
Rama:
Ne e kemi vendosur që mbledhja do mbahet në Pejë. Mbledhjet e dy qeverive nuk janë prenotime, por vendime tonat për takime për të bashkëpunuar.

Shkëmbimet tregtare lënë për të dëshiruar, volumi nuk shkon më shumë. A do të ketë avantazh për bizneset për kalimet dhe shkëmbimet. Për letra që tregohen?
Rama:
Gjithçka lë për të dëshirua në çdo aspekt të jetës tonë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Edhe në këtë rast shikojmë rritje inkurajuese të numrit të biznesit nga Shqipëri në Kosovë- nga Kosova në Shqipëri. A mjafton? Jo nuk mjafton, asgjë nuk mjafton. Mbi këtë bazë do përpiqemi për të bërë gjithçka. Jemi duke pritur të finalizojmë unifikimin doganor, janë ca aspekte teknike që do finalizojë pala e Kosovës. Më pas do të vazhdojmë me barrierat e qarkullimit.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: