ELBASAN- Festat e 28-29 Nëntorit duket se kanë “thyer akujt” mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shfaqur paraditen e sotme përkrah kryetarit socialist të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në kuadër të festimeve për festën e Pavarësisë.
Në fotot që gazetari Fatmir Popja ka siguruar për “BalkanWeb”, bashkë me ta, kanë qenë edhe deputetë të tjerë të PS dhe LSI.
Në ditën e Pavarësisë, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi uroi shqiptarët nga qyteti i Elbasanit ku u zgjodh deputete më 25 qershor.
“Një ditë historike na rikthen në identitetin tonë kombëtar. Kjo është ditë e rëndësishme dhe tregon se në 105 vite histori, ne të reflektojmë si klasë poltike dhe si popull për arritjet dhe gabimet tona. Në këtë ditë pavaresie të jemi të lirë në mendimet tona të këqija për të zhvilluar dhe për të ecur përpara”, u shpreh Kryemadhi.
Me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë, edhe Prefekti e Elbasanit, Maksim Malaj ka përshëndetur të pranishmit.
(BalkanWeb)