Gjatë vizitës të saj në Washington kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, zhvilloi takime në Departamentin Amerikan të Tregtisë, ku në Byronë e Industrisë dhe Sigurisë, zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin e Tregtisë për Menaxhimin e Eksportit Richard Ashooh.
Ndihmës Sekretari Ashooh shprehu kënaqësinë e veçantë që për herë të parë zhvillohej një takim i tillë si dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për të mbështetur Shqipërinë në çështjet e sigurisë industriale dhe të eksporteve të teknologjisë.
Gjithashtu, Ndihmës Seketari Ashooh shprehu interesin për të asistuar Shqipërinë gjerësisht në hartimin e legjislacionit, akteve rregullatore dhe metodave të monitorimit, dhe partneritetit reciprok për çështje që lidhen me industrinë dhe sigurinë industriale. Znj. Kryemadhi konfirmoi predispozicionin maksimal të Lëvizjes Socialiste për Integrim që ajo të jetë mbështetëse por edhe promovuese e hartimit të legjislacionit në këtë fushë kaq të rëndësishme. Ajo siguroi se me tu përgatitur një legjislacion i tillë do të komunikojë me të gjithë aktorët e tjerë politikanë Shqipëri që kjo paketë legjislative e nevojshme për zhvillimin e vendit në tërësi por dhe sigurinë kombëtare në veçanti, të miratohet në një kohë sa më te shpejtë dhe Shqipëria të ketë standardet më të larta ndërkombëtare bashkëkohore në këtë fushë.
Ajo ftoi gjithashtu përfaqësuesit të Departamentit të Tregtisë të vizitojnë Shqipërinë në kuadrin e aktiviteteve të organizuara për fushat që ky departament mbulon pasi Znj. Kryemadhi konstatoi se duhet një politikë e re në bashkëpunimin ekonomik me SHBA që ti përshtatet më mirë zhvillimit aktual të ekonomisë së Shqipërisë dhe hapjes gjithmonë më të madhe të saj ndaj biznesit Amerikan. Në vijim të takimeve në Departamentin Amerikan të Tregtisë me fokus shkëmbimet tregtare, investimeve midis dy vendeve dhe rritjen e prezencës së investimeve amerikane në Shqipëri, Znj. Kryemadhi zhvilloi një takim me Znj. Sarah Kemp, Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë për Investime Ndërkombëtare.
Kryetarja e LSI nënvizoi se pa një prani që rritet dukshëm të investimeve amerikane nuk mund të kemi atë zhvillim ekonomik për të cilin Shqipëria ka aq shumë nevojë dhe që është i lidhur drejtpërdrejtë me punësimin. Gjithashtu, Znj. Kryemadhi evidentoi se turizmi, infrastruktura, energjia dhe bujqësia mbeten fushat prioritare të bashkëpunimit ekonomik.
Zv.Drejtoresha e Përgjithshme Kemp evidentoi se Shqipëria ka nevojë për një qëndrueshmëri më të lartë fiskale në mënyre të veçantë për sistemin e taksave pasi ndryshimi i shpeshtë i tyre nuk është inkurajues për ardhjen e bizneseve amerikane por dhe atyre të huaja në përgjithësi.
Ajo shtoi se Shqipëria mund të bëhet një vend strategjik rajonal për investimet Amerikane në infrastrukturë, energjetikë, manifakturë e shërbime, me shtrirje edhe rajonale si në Kosovë, Maqedonia, Mal të zi, etj., duke pasur si qendër Shqipërinë.
(m.k/BalkanWeb)