TIRANE- Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka folur për 8 Dhjetorin e vitit 1990, duke treguar se si ndihet në ditët e sotme kur kujton lëvizjen studentore. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Arben Imami thotë se lëvizja e dhjetorit ka qenë një ngjarje shumë e rëndëshme për vendin tonë.

Arben Imami, pedagog në atë kohë, në vitin 1990, thotë se lëvizja studentore e 8 dhjetorit, dhe më pas themelimi i PD, sollën pluripartitizmin në Shqipëri.


“Nuk kam patur as pikëpyetje, as tensione, dhe as presione për t’iu bashkuar studentëve. Nuk e kam menduar gjatë. Nuk kam menduar që të shkoj dhe të luaj një rol, nuk e kam pasur këtë ide, pikësynim, por në mënyrën si u zhvilluan disa ngjarje ato ditë, duket natyra ime nuk mund ta përballonte pa e thënë atë që mendonte, për mirë apo për keq. Dhe u përfshirë, dhe në një farë mënyre kam mbetur i përfshirë për shkak të asaj ngjarje që ka ndodhur 27 vite më parë”, tregon Imami.

Ai ka rrëfyer edhe takimin me Ramiz Alinë, ndërsa tregon se pika kyçe ka qenë paraditja e 11 dhjetorit.

“Nga takimet me studentët u mor vendimi, që çdo fakultet të gjejë përfaqësuesit e vet dhe do çojmë 30 njerëz të Ramiz Alia. Universiteti i Arteve zgjodhi Blendi Gonxhen dhe mua. Unë isha pedagog i regjisurës. U bë një takim që zgjati disa orë, që çfarë do themi. Një takim 3-4 orë. Dhe në orën 6 autobusi i nis për të takuar presidentin e kohës”, rrëfen Imami.

PJESE NGA INTERVISTA
Ju keni folur shumë për ditët e dhjetorit 1990, vit pas viti keni dhënë prononcimet tuaja. Unë do doja të ktheheshim pak pas në kohë për të sjellë disa përjetime, edhe ato që ju ndoshta nuk mund t’i keni thënë më parë. Si ndjeheni ju sot pas 27 vitesh dhe a ka të njëjtën jehonë lëvizja studentore e atëhershme, kohë të cilën ju e keni cilësuar si ditët më të rëndësishme të jetës suaj?
Unë jam i detyruar të bëj një lloj ndarje pikë së pari. Lëvizja studentore është një lëvizje e studentëve, që ne pedagogët e mbështetëm, jo të gjithë sigurisht, por një pjesë. Në këtë kuptim nuk dua t’i hyj në pjesë atyre që realisht e kanë bërë këtë. I pari Azem Hajdari, por edhe të gjithë ata që kanë qenë pas tij. Jam i të njëjtit mendim, që me shpalljen e Partisë Demokratike, lëvizja e studentëve jo vetëm që mori kuptim, por edhe gjeti konkretizim, u materializua, u mishërua në një forcë politike. Me shpalljen e PD shkatërrohet në themel sistemi monopartiak, dhe në thelb diktatura komuniste në Shqipëri. Sigurisht është një rk kohor dhe janë një seri ngjarjesh derisa sistemi, me kushtetutën e re që pranonte pluripartitizmin, parlamentin e ri që kishte më shumë se një forcë politike, dhe pastaj deri në vitin 1992 me fitoren e PD-së, ne shohim të fillojë të funksionojë pluripartitizmin. Nga kjo pikëpamje, lëvizja e dhjetorit dhe finalizimi i saj, me shpalljen e pluripartitizmit dhe themelimin e PD, padyshim që për mua është një ngjarje unike, qoftë si pjesëmarrës, qoftë edhe për një rol, që pa modesti mund të themi që ka qenë i rëndësishëm. E rëndësishme është që kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme për Shqipërinë në historinë e shekullit të kaluar. Ky vlerësim i imi ka qenë që në 12 dhjetor dhe e kam thënë atëherë për mediat e kohës, dhe kam të njëjtin mendim edhe sot që, rrënjët tona politike fillojmë pikërisht në atë shesh që e quajmë “Sheshi Demokracia”.

A patët ju tensione apo mëdyshje në momentin që ju bashkuat ju studentëve aso kohe?
Nuk kam patur as pikëpyetje, as tensione, dhe as presione për t’iu bashkuar studentëve. Nuk e kam menduar gjatë. Nuk kam menduar që të shkoj dhe të luaj një rol, nuk e kam pasur këtë ide, pikësynim, por në mënyrën si u zhvilluan disa ngjarje ato ditë, duket natyra ime nuk mund ta përballonte pa e thënë atë që mendonte, për mirë apo për keq. Dhe u përfshirë, dhe në një farë mënyre kam mbetur i përfshirë për shkak të asaj ngjarje që ka ndodhur 27 vite më parë.

Një pikë kyçe, esenciale, ishte takimi me Ramiz Alinë, si e përjetuat këtë takim?
Unë besoj se Ramiz Alia i kishte të vendosura gjërat. Pika kyçe ka qenë 11 dhjetori, paraditja. Darkën e datës 10 binte shumë shi, dhe studentë, dhe pak pedagogë, kemi qenë në një sallë, ku kemi diskutuar për takimin. Djem të rinj me pikëpamje të paformuara mirë, jepni ide, pati pak tension si do ta zgjidhnim. Disa nga ata pak më radikalë, si mund t’i quajmë, kërkonin që Ramiz Alia të vinte aty. Por ai nuk mund të vinte aty sepse, në një provë që kishte bërë Çaushesku një vit përpara kishte përfunduar keq për ish-udhëheqësin komunist të Rumanisë. E dyta edhe nëse vinte dhe nuk ndodhte një gjë e tillë, është e vështirë të thuash si mund të bisedonin një numër aq i madh njerëzish, ishin rreth 300-400 persona. Të nesërmen dolën disa folës, të cilët shtruan disa çështje, do kthehemi apo jo në auditorë, dhe ku do ta takojmë Ramiz Alinë, këtu apo atje ku kërkon një përfaqësi ai. Zgjidhja e këtyre dy çështjeve ishte vërtet një problem themelor. Nëse studentët ktheheshin në auditorë humbiste çdo mundësi dhe çdo lloj presioni ndaj qeverisë. Nëse do të qëndrohej do të ishte për një program ku kishin dhënë kontribut disa intelektualë, ndër ta edhe Sali Berisha. Ky program në një nga pikat e tij kishte edhe pluripartitizmin.

Edhe unë dola fola, dhe thashë që jam me studentët deri në fund. Po kështu që nuk duhet të shkojmë në auditorë, dhe as të vinte aty Ramiz Alia. Dhe pastaj u mor vendimi, që çdo fakultet të gjejë përfaqësuesit e vet dhe do çojmë 30 njerëz të Ramiz Alia. Universiteti i Arteve zgjodhi Blendi Gonxhen dhe mua. Unë isha pedagog i regjisurës. U bë një takim që zgjati disa orë, që çfarë do themi. Një takim 3-4 orë. Dhe në orën 6 autobusi i nis për të takuar presidentin e kohës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: