FRANCE-Mediat raportuan se i riu shqiptar që u masakrua në një burg në Marsejë të Francës ka ndërruar jetë, pasi i janë hequr aparaturat, por të afërmit e tij thonë se kjo nuk është e vërtetë.
Në një prononcim për “BalkanWeb” dhe “News24” të afërmit e Florencit thonë se kjo nuk është e vërtetë dhe i riu nuk kishte arsye të vriste veten në burg siç pretendohet. Ata thonë se nuk do firmosin për heqjen e aparaturave.
“Askush nuk interesohet për ne dhe kemi gjetur vetë një avokat. Florenci nuk kishte arsye pse të vriste veten në burg. Ata i hoqën shpresat Florencit se është shqiptar. Nuk pranojmë që Florencit t’i hiqen aparaturat dhe nuk do firmosim për heqjen tyre”- kanë thënë të afërmit.
I riu Florenc Beqiraj ndodhet në spital prej disa ditësh dhe të afërmit e tij kanë denoncuar ngjarjen duke pretenduar se Florenc Beqirajn kanë tentuar ta vrasin në burg, ku ai ndodhej prej tre javësh.
Ai kishte shkuar para një viti në Francë duke kërkuar azil, por tre javë më parë ishte kapur nga policia, pasi nuk kishte dokumente.
Kushërira thotë se Florenci kishte telefonuar atë dhe një tjetër shok të tij, duke iu thënë se kishte probleme me personat me të cilët ndante qelinë, si dhe kishte shprehur frikë se mos e vrisnin.
Sipas saj, 23-vjeçari pas dy ditësh do të kthehej në Shqipëri, ndaj nuk kishte pse të vetëvritej, pretendim ky i ngritur nga policia e Francës.
Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë.
(BalkanWeb)