ATHINE- Ministra e Jashtme greke ka përgënjeshtruar disa botime në shtypin shqiptar, sipas të cilave ministri i Jashtëm grek, ka protestuar për një kandidat të partisë Bashkimi për të drejtat e njeriut në zgjedhjet lokale të qershorit.

Sipas shkrimeve në shtyp, me anë të një note zyrtare, qeveria greke i ka konfirmuar qeverisë shqiptare se distancohet nga kandidati i PBDNJ-së në

“Himarë, Fredi Beleri, një person i arrestuar për ngjarjen e Peshkëpisë në vitin 1994, ku mbetën të vrarë dy pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”. Por zëdhënësi i MPJ greke Kostandinos Kutras, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve sqaroi se “asnjëherë Ministri i Punëve të Jashtme, Z. Nikos Kotzias nuk ka bërë ndonjë deklaratë të ngjashme”.

Sipas zëdhënësit Kutras, “parimet e politikës së jashtme, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë që ndjek qeveria greke, është i papajtueshëm me lëvizje të tilla, pasi ato do të përbënin ndërhyrje në procesin zgjedhor të një fqinji dhe vendi mik”.
(ed.me/NEWS24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: