Politikanët kryesorë të Kosovës po nervozohen ndërsa gjykata speciale përgatitet të lëshojë aktakuza për krime lufte.
Pa asnjë lajmërim, një grup deputetësh të Kosovës u përpoqën në fund të muajit të kaluar të pezullojnë një ligj për gjykatën e re, shkruan ‘Politico’. Dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili ishte shumë i rëndësishëm në nxitjen e parlamentit për të miratuar gjykatën në 2014 nën presionin e rëndë ndërkombëtar, tani thotë se ai do ta nëshkruante një legjislacion të tillë. Kthesa e papritur alarmoi fuqitë perëndimore. Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu “shqetësim të thellë” dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë tha se Uashingtoni do të shikonte një shfuqizim të ligjit si një goditje të fortë. Kreu i delegacionit të BE-së në Kosovë e quajti përpjekjen “ të tmerrshme” dhe “jashtëzakonisht dëmtuese për Kosovën”.
Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe liderë të tjerë politikë ishin udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që luftoi shtypjen e maxhorancës etnike shqiptare të Kosovës nga ana e Serbëve gjatë luftërave në vitet ’90. Gjykata e re ka si detyrë ndjekjen penale të figurave të larta të UÇK-së pas fushatës së tyre të dhunës kundër serbëve, grupeve të tjera etnike dhe kundërshtarëve politikë gjatë dhe pas luftës së 1998-1999.
Rritja e opozitës politike për gjykatën gjithashtu shton mundësinë e trazirave kur aktakuzat të ngrihen përfundimisht. Daut Haradinaj, vëllai i kryeminsitrit i cili është gjithashtu deputet dhe ish komandant i UÇK-së tha se “të gjithë luftëtarët e UÇK-së do bashkohen” për të ndaluar arrestimet.
Përpjekja për të shfuqizuar ligjin për gjykatën speciale u udhëhoq nga Nait Hasani, deputet i PDK-së, e themeluar nga Thaçi dhe ish komandantë të tjerë të UÇK-së, si dhe 43 deputetë që kërkuan një seancë parlamentare për të pezulluar ligjin. Kërkesa e tyre nuk u miratua nga parlamenti megjithatë ata mund të përpiqen ta miratojnë përsëri. Partia kryesore opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, tha këtë javë se do votonin kundër gjykatës speciale.
“Gjykata speciale ka qënë dhe do jetë e papranueshme për Kosovën” tha Hasani. “Është një gjykatë politke që synon të ndëshkojë vetëm ushtarët e UÇK-së për krime lufte të supozuara”.
Gjykata e re speciale nuk ka precedentë të qartë ligjorë në Ballkan ose në ndonjë vend tjetër. Do të funksionojë sipas ligjit të Kosovës por është e ngritur në Hagë, me gjykatës ndërkombëtarë dhe prokurorë dhe e financuar nga Bashkimi Evropian. Ngritja e gjykatës jashtë Kosovës ka si qëllim reduktimin e frikësimit të dëshmitarëve, diçka që ka qenë një problem kryesor në përpjekjet e mëparshme për të proceduar penalisht ish pjesëtarët e UÇK-së.
Sot në Kosovë e vetmja mbështetje politike për gjykatën speciale vjen nga LDK, një nga tre partitë më të mëdha të vendit.
Sakaq për shumë vite në Prishtinë është spekuluar se kush nga politikanët kryesorë të Kosovës do ishte shënjestra e gjykatës speciale. Thaçi ka qenë lideri politik i UÇK-së, kryeministri Haradinaj ka qenë komandanti i UÇK-së në Kosovën perëndimore, ndërsa kreu i parlamentit, Kadri Veseli ka qenë komandanti i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së. Të gjithë kanë mohuar akuzat për krime lufte.
(Përktheu Aleksandra Kola/BalkanWeb)