BULLGARI- Konferenca e Partisë së Evropianëve Socialiste (PES) mblodhi dje në Sofie, Bullgari përfaqësues të partive social-demokrate të Ballkanit, eurodeputetë dhe akademikë të rajonit të cilët diskutuan mbi ecurinë e proceseve të integrimit evropian të vendeve të rajonit dhe mbi sigurinë rajonale me fokus të veçantë në përshkallëzimin e ngjarjeve të fundit në Maqedoni.

Në këtë konferencë të PES për Ballkanin nga Shqipëria mori pjesë Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së Ralf Gjoni, i cili shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të familjes social demokrate evropiane jo vetëm ndaj progresit të Shqipërisë por ndaj garantimit të perspektivës evropiane për të gjitha vendet e rajonit.

Duke diskutuar mbi vizionin e zhvillimit ekonomik e social në Ballkan, Ralf Gjoni theksoi se “të gjitha forumet e përbashkëta të të majtëve duhen përqendruar në përforcimin e projekteve konkrete që i shërbejnë ndërlidhjes infrastrukturore rajonale që do të rrisë shkëmbimet njerëzore e tregtare dhe do të hapë prospekte të reja punësimi, një sfidë që ka prekur gjithë kontinentin dhe që po kërcënon mirëqenien sociale në rajonin tonë”.

Gjoni vuri në dukje gjithashtu se përshpejtimi i ritmit të integrimit evropian i shërben zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të standardeve të jetesës, siç është vënë re edhe në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së u shpreh se të gjitha palët duhet të reagojnë me qetësi dhe se spekulimet etnike nuk i shërbejnë stabilitetit të vendit.

Gjatë kësaj konference për Ballkanin, Presidenti i PES Sergei Stanishev dhe Zv. Presidenti i Grupit S&D ne Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein vlerësuan pozitivisht progresin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë në kuadër të integrimit evropian dhe theksuan se duhet punuar me fort për avancimin e Maqedonisë, Kosovës dhe Bosnjës drejt perspektivës euro-atlantike me qëllim zgjerimin e Bashkimit Evropian në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor si e vetmja alternative për mirëqenien dhe zhvillimin social.

Konferenca e PES për Ballkanin u mblodh këtë jave në Sofie pak javë para mbajtjes së Kongresit vjetor të Partisë së Evropianëve Socialiste që mbahet në qershor në Budapest.

Në përfundim të Konferencës përfaqësuesit partiakë miratuan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës kërkuan forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Jug-Lindore, garantimin e rrugëtimit të integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, rritjen e parametrave të sigurisë dhe pavarësisë energjetike, promovimin e zhvillimit social dhe ekonomik dhe forcimin e të drejtave themeltare të qytetarëve në rajon.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: