TIRANE- Në 26 vjetorin e themelimit të FRESSH, kryeministri i vendit Edi Rama i ktheu përgjigje Valbona Reçit, mësueses së gjimnazit në Rrëshen që një ditë më parë gjatë takimit për bashkëqeverisjen ngriti shqetësimin e mungesës së herceptinës, ilaçit të nevojshëm që i shërbente në luftën kundër kancerit.

“Dje në Mirditë u ngit një mësuese në takimin tonë për bashkëqeverisjen dhe rrëfeu situatën e saj dramatike me shëndetin, është identifikuar me kancer dhe pasi tregoi për përkushtimin dhe kujdesin e skuadrës së mjekëve dhe infermierëve të Onkologjikut tha se prej disa muajsh i është ndërprerë kura për shkak të mungesës së një ilaçi që kushton shumë e pa të cilin nuk bën dot… Pas mbledhjes së djeshme ne vazhduam dhe do të çojmë deri në fund detyrimin tonë që brenda 10 ditëve të ardhme t’i garantojmë jo vetëm asaj, por gjithë të sëmurëve atë ilaç”,- tha Rama.

E sa për historinë e mësueses së sëmurë, Rama nuk i kurseu kritikat ndaj opozitarëve, të cilët tha ai kanë siguruar vetëm 800 flakonë të ilaçit që i mungon mësueses së Rrëshenit dhe gjithë të sëmurëve, ndërsa sot sigurohen 4000 të tilla, në një kohë që ka nevojë për 5000. Por, siç tha Rama situata do të zgjidhet brenda 10 ditësh dhe do të sigurohen edhe 1000 flakonët që mungojnë.

“Ne jemi këtu për të vazhduar betejën bashkë me atë mësuese që ta ketë atë kurë, por për këtë kurë, qeveria dhe shteti garantonin 800 flakonë dikur, ne sot garantojnë 4000. Duhen 5 mijë, por janë pikërisht ato 1 mjë flakonë që na ndajnë nga politika duke iu kthyer opozitës që blinte vetëm 800 flakonë. Ne duhet të zgjidhim problemin për të mbyllur përfundimisht ciklin e kësaj përpjekje që vazhdon prej 24 vitesh, ku shqiptarët e sëmurë nuk marrin dot kujdesin deri në fund”,- sqaroi Rama.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb