VLORE – Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Vlorës.
Një banesë në lagjen “1 Maji” është përfshirë nga flakët e si pasojë kanë humbur jetën nënë e bir.
Dyshohet se shkak i flakëve që shkrumbuan banesën ka qenë shpërthimi i një bombole gazi e përdorur për ngrohje. BalkanWeb mëson se viktimat janë identifikuar si Selkie,73, dhe Novruz Hoxhallari,43 vjeç, nënë e bir, me origjinë nga Korça.
Ngjarja në banesën 1-katëshe ndodhi rreth orës 04.00 të mëngjesit të sotëm.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Vlorë Informacion paraprak Më datë 21.01.2018, rreth orës 04:20, në lagjen ”1 Maji”, në një banesë ka rënë zjarr e për pasojë janë djegur dhe kanë ndëruar jetë dy shtetas. Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor dyshohet se zjarri në banesë mund të jetë shkakëtuar aksidentalisht , ku për pasojë janë djegur e kanë ndëruar jetë nënë e bir, shtetasit S.H., rreth 73 vjeçe dhe N.H., rreth 43 vjeç. Trupat e pajetë janë transportuar në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(e.f/BalkanWeb)