SHKODER- Gjatë 24 orëve të kaluara mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me vranësira të qëndrueshme dhe të dendura me prani të reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të vendit.
Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, reshjet e shiut kanë qenë të herëpashershme me intensitet deri të lartë, lokalisht shtrëngata dhe stuhi.
Gjatë natës sasia më e madhe e reshjeve të shiut të rëna është: Lezhë 20.0 mm shi, Shkodër 12.0 mm shi dhe Tiranë 12.0 mm shi, ndërsa në pjesën tjetër e vendit kanë rënë më pak se 7.0 mm shi.
Ndërkaq, Forcat e Armatosura gjenden në terren për të bërë të mundur shpërndarjen e bazës ushqimore për të gjithë banorët e prekur nga këto reshje.
Në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të rëna janë ndodhur nën ujë një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore dhe janë izoluar nga uji shumë banesa, ku më i prekuri ka qenë fshati Obot.
“Aktualisht Forcat e Armatosura janë të pranishme në zonat e prekura nga uji me efektivet dhe mjetet e batalionit të këmbësorisë së Shkodrës”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga MM.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se janë marrë masa për sigurimin e bazës ushqimore për banorët por edhe për bagëtitë e këtyre zonave.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit janë dërguar në njësinë administrative, Ana e Malit 450 pako ushqimore dhe 180 pako me detergjent.
Në njësinë administrative, Ana e Malit janë shpërndarë 7 tonë koncentrat si dhe 11 ton bar i thatë. Në njësinë administrative, Dajç janë shpërndarë janë shpërndarë 11 ton koncentrat për bagëti.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes, ndodhen të magazinuara 2 ton koncentrat për bagëti, i cili do të shpërndahet sipas një grafiku të caktuar.
PARASHIKIMI I MOTIT
Parashikimi i motit për sot, 13 Mars 2018.
Gjatë ditës së sotme mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira të ndërrueshme dhe të dendura. Të pranishme reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit.
Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 20 km/orë, nga juglindja.
Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:
Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në 4°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 16°C.
Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në 10°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 20°C.
Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 11°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 19°C.
Parashikimi i motit për nesër, 14 Mars 2018.
Gjatë ditës së nesërme mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira mesatare dhe të dendura. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, pjesërisht në formën e shtrëngatave. Në Alpe dhe në zonat malore lindore, në lartësitë mbi 1200 metër reshje të dobëta dëbore.
Era do të fryjë mesatare, në bregdet deri 35 km/orë, nga juglindja.
Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:
Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në 2°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 15°C.
Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në 8°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 19°C.
Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 9°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 18°C.
Parashikimi i përafërt i motit për periudhën 15 deri 18 Mars 2018.
Situata sinoptike e parashikuar për datën 16 Mars në mesditë tregon se rajoni i Ballkanit do të ndodhet nën ndikimin e një fushe me presion atmosferik të ulët.
Rrjedhimisht, pritet që mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira. Reshje shiu të herëpashershme, pjesërisht shtrëngata shiu dhe stuhi në pjesën veriore.
Temperaturat maksimale, do të luhaten: Në vendet malore nga 12 deri 14 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 13 deri 19 gradë.
Temperaturat minimale, do të luhaten: Në vendet malore nga 3 deri 7 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 2 deri 9 gradë.
Era do të fryjë mesatare, në bregdet deri e fortë, nga juglindja.
(BalkanWeb)