FIER – Agim Boriçi, ndaj lokalit të të cilit u qëllua me armë dy ditë më parë në lagjen “15 tetori” në qytetin e Fierit ka pohuar se ka bashkëpunuar me policinë për të nxjerrë në dritë të vërtetën, mëson BalkanWeb

“Nuk ruhem nga askush. Mendoj që ajo çka ka ndodhur nuk ka të bëjë me personin tim dhe familjen time. Ne jemi Boriçtë e Fierit dhe nuk kemi të bëjmë me Boriçtë e Lushnjës, që e kanë lidhur edhe me bandën e Lushnjes. Nuk jam person në kërkim dhe nuk kam probleme me drejtësinë. Jam babai i tre fëmijëve dhe bëj një jetë normale. Dua që drejtësia të nxjerrë në dritë të vërtetën. Kemi bashkëpunuar me policinë në çdo hap. Isha në lokal në momentin e ngjarjes dhe fatmirësisht nuk ka pasur nxënës apo mësues. Nuk ka pasur shkëmbim zjarri,  vetëm të shtëna nga jashtë. Jemi habitur me atë që dëgjuam. Është abuzuar me ngjarjen,” ka thënë Boriçi , raporton BalkanWeb.

Ngjarja e regjistruar paraditen e djeshme në lagjen “15 Tetori” ka vënë në lëvizje policinë dhe prokurorinë duke pasur parasysh të kaluarën e tij, ndonëse ende nuk dihet nëse Boriçi ka qënë shënjestra e sulmit.

Burime të “BW” pranë policisë së Fierit thonë se autorët kanë qëlluar plot 20 herë në drejtim të lokalit të Boriçit. Të njëjtat burime nuk përjashtojnë mundësinë që të shtënat të kenë qënë një paralajmërim për njërin nga njerëzit më “të frikshëm” të qytetit.

NGJARJA
Rreth orës 11:00 është qëlluar nga një mjet në ecje e sipër mbi lokalin e Agim Boriçit. Policia u vu në ndjekje të personave që kishin shtënë me armë mbi lokal por ka mundur të gjejnë të braktisur dhe të djegur makinën nga u qëllua në lagjen “8 Shkurti”. Brenda makinës tip “Reno” u gjet edhe një kallashnikov. “Në datën 11.04.2018, rreth orës 11:45 në lagjen “8 Shkurti” Fier, nga një automjet tip “Reno” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit A.B. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale ku janë thyer xhamat e lokalit. Makina është larguar në drejtim të Semanit dhe rreth orës 11:50 është gjetur e djegur në lagjen “15 Tetori” Fier”,- sqaroi policia.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb