Nëse hap faqen e informimit Wikipedia, sepse do të dish mbi lumin Gjanica, ajo që lexon është më shumë se alarmante. Ja si përshkruhet lumi që kalon nëpër 3 qytete:
Lumi i Gjanicës, degë e Semanit, është lumi me ndotjen më të rëndë në Shqipëri. Menjëherë pas burimit ai ndotet rëndë me mbeturina me origjinë nafte dhe nënprodukte të saj nga sipërfaqja naftënxjerrëse e Marinzë–Patos dhe, gjithashtu, prej Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh. Duke kaluar mes qytetit të Fierit, përpara se të bashkohet me Semanin në të shkarkohen mbeturinat urbane, duke e bërë ujin e tij pa asnjë formë jete. Krahas demit në florën dhe faunën natyrore ujore, përdorimi i ujit për vaditje dhe blegtori është me rrezik.
Do të duhej të mjaftonte kaq që autoritetet përkatëse të nisnin një plan të detajuar masash për të rehabilituar lumin Gjanica. Por duke pare heshtjen e tyre, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nisur edhe nga shqetësimi i ngritur nga qytetarët dhe media, ndërmori verifikim të situatës në terren. Nga monitorimi i ekspertëve tanë (më datë 03.08. 2017 ) rezultoi se në lumin Gjanica derdhen mbetjet e hidrokarbureve të kompanisë Armo dhe subjekteve të tjera që veprojnë në atë zonë. Ndër të tjera nga monitorimi u arrit në këtë përfundim:
Rezultoi se niveli i ndotjes së Lumit Gjanicë është shumë i lartë dhe gjendja paraqitet alarmante, si në pjesën që i përket Bashkisë Fier, ashtu edhe të Bashkisë Mallakastër. Burimet e ndotjes së lumit janë hidrokarburet, mbetjet urbane të ngurta dhe të lëngëta që shkaktohen përgjatë gjithë rrjedhës së lumit nga industria e shfrytëzimit dhe përpunimit të naftës, veprimtaritë private, banorët por edhe nga ndërmarrjet e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të bashkive respektive. Gjithashtu, u konstatuan shkarkime të ujërave të zeza nga dy përrenjtë që realizojnë grumbullimin e ujërave të zeza të qytetit të Ballshit, të cilat shkarkohen të papërpunuara në shtratin e Lumit Gjanicë, duke rritur shkallën e ndotjes së tij fizike, mikrobiologjike dhekimike, ndërsa aroma e këtij lumi ishte shumë e rëndë.
Shqetësimi i Komitetit të Helsinkit
Por tashmë ky rrezik i ka kapërcyer kufijtë e qytetit të Fierit, ku për hir të së vërtetës Bashkia ka një projekt të veçantë për rehabilitimin e lumit, në të cilin përfshihet edhe marrja e masave kundër ndotjes së tij. Diku tjetër po troket një katastrofë e mundshme mjedisore. Dhe ajo është zona e Mallakastrës ku kalon gjithashtu lumi Gjanica.
Duke pare këtë situatë alarmante KShH, ju drejtua me një kërkesë Bashkisë Mallakastër jo vetëm duke kërkuar informacion mbi situatën, por edhe marrjen e
menjëhershme të masave për të frenuarndotjen e lumit. Shkresa i drejtonte një sërë pyetjesh përfaqësuesve të bashkisë Mallakastër:
a) Nga monitorimet e realizuara ndaj aktiviteteve të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës a ka rezultuar lidhje shkakësore të tyre me ndotjen lumit Gjanica dhe nëse po, a janë marrë masa në zbutjen apo eleminimin e këtij fenomeni?
b) Si rezulton aktualisht niveli i ndotjes mjedisore në rrjedhën e lumit Gjanicë dhe hapësirën përreth, veçanërisht të ujit dhe ajrit pranë lumit Gjanica?
c) Si ju rezulton niveli i ndotjes së këtij lumi për shkak të mbetjeve urbane apo ujërave të zeza të derdhura në të, sikurse është referuar më sipër? A keni bashkëpunuar me strukturat rajonale të shëndetit publik për menaxhimin e këtij problemi?
Në përgjigjen e saj Bashkia pranon se ndotja në lumin Gjanica është shumë e lartë. Në shkresë thuhet se këto shqetësime i janë përcjellë institucioneve të linjës, por vetëm kaq. Drejtuesit e Bashkisë nuk japin asnjë rrugëzgjidhje për situatën e krijuar edhe pse citojnë se kompanitë Armo sh.a dhe Albpetrol sh.a shkaktojnë ndotje jo vetëm të lumit por edhe të ajrit me derdhjet e hidrokarbureve në ujërat e Gjanicës. Kjo korrespondencë është bërë në muajin Dhjetor të 2017.
Faktet
Por më e keqja nuk qëndron vetëm në mosmarrjen e veprimeve nga Bashkia e Mallakastrës. Komiteti Shqiptar i Helsinkit për muaj të tërë ka përpiluar dhe dërguar disa shkresa në institucionet e linjës, duke kërkuar informacion dhe fakte për ndotjen e lumit Gjanica. Të gjitha këto institucione në bllok kanë kthyer përgjigje se Gjanica është në nivele të larta ndotjeje. Shumë shqetësuese është përgjigjja e Drejtorisë së Shëndetit Publik Fier, që duke u bazuar në analiza ka arritur në përfundimin se uji i marrë në disa pika të lumit është me ngjyrë gri, me erë të rëndë dhe i përzier me hidrokarbure. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe institucionet e tjera si Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyeve, Dega Rajonale Fier.
Pikëpyetjet e një hetimi
Ka qenë pikërisht Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyeve, Dega Rajonale Fier. ai që ka kërkuar fillimin e procedimit penal për ndotjen e lumit Gjanicë nga subjektet që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në këtë zonë. Por edhe pse të gjithë laboratorët e mundshëm në vend, kanë provuar përmes analizave të shumëllojta
ndotjen e shumëfishtë të lumit Gjanica, sërish çështja është pushuar vitin që kaloi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
I shqetësuar nga ky veprim Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i kërkoi Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier kopjen e vendimit, ku artikulohet edhe argumenti për pushimin e çështjes nga organi i akuzës. Dhe ai është paradoksal. Organi i akuzës ka pushuar çështjen pasi pohon se, nuk ka fakte shkencore për prishjen e ekuilibrit ekologjik në lumin Gjanica! E pavarësisht kësaj, vendimi nuk përjashton përgjegjësinë administrative të subjekteve për ndotjen e lumit Gjanica
Alarmi
Mjafton të shihni tabelën e sëmundshmërisë në zonën ku kalon lumi Gjanica për të kuptuar se përdorimi i burimeve ujore për nevojat e jetesës apo ajri i ndoturnga aktiviteti i Rafinerisë së ARMO-s, mund të shkaktojë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e banorëve. Ndotja e ambientit dhe e ajrit favorizon sëmundje të ndryshme tek individët që banojnënë këtë zonë, si sëmundje kardiovaskulare, të diabetit, etj.
Ka ardhur koha që dosje të tilla duhet të pastrohen nga pluhurat dhe të merren masa urgjente sot, pasi nesër për këta banorë mund të jetë shumë vonë! Kjo çështje do të ndiqet në rrugë administrative dhe nëse kjo rrugë rezulton joefektive edhe në rrugë gjyqësore për të kërkuar rivendosjen e të drejtave të shkelura të banorëve që preken nga ndotja e Gjanicës si dhe marrjen e masave për ti dhënë fund ndotjes shqetësuese të këtij lumi.
Kjo iniciativë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit vjen si pjesë e projektit “Të litigojmë në mënyrë strategjike për mbrojtje efektive të të drejtave në fushën e mjedisit dhe shëndetësisë”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.