Nga Rashela Shehu
Çmimi i bukës do të rritet me 30% në rast se furrat e bukës që tregtojnë edhe prodhime të pastiçerisë dhe byrektores, përjashtohen 100% nga subvencioni i energjisë elektrike.
Paralajmërimi vjen nga disa prodhues te bukës, të cilët e quajnë të padrejtë vendimin e Operatorit te Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që subjektet e tyre të përfshihen në kontratat e biznesit normal me një çmim energjie 14 lekë për kilovat orë, vetëm se në furrat e tyre gjenden pajisje frigoriferike.
“Me rritjen e energjisë elektrike ne do të rrisim çmimin e bukës, 30% e pakta. Çmimi do të rritet për të gjitha prodhimet e brumit”, shprehet një nga tregtarët e bukës.
“Në qoftë se sot një bukë e shes 80 lekë-800g, do të shkojë 110-120 lekë. Nuk ka zgjidhje tjetër, ose mbyllim furrat dhe kaq”, shprehet një tjetër prodhues.
Dashamir Shehaj, tregtar i bukës prej 7 vitesh, është përjashtuar nga subvencionimi i energjisë elektrike prej muajit prill. Shehaj shprehet se ky dyfishim i tarifës nga 7.6 në 14 lekë për kilovat orë e rrit shumë koston e prodhimit të bukës.
“Në prill fatura me erdhi me rritje çmimi, me 14 lekë ndërkohë që përgjatë 7 viteve e kam paguar me 7.6 lekë. Kostoja shtesë është 230 mijë lekë (të vjetra). Është një kosto shumë e lartë për t’u paguar prej meje për 2 frigoriferë që kam tek furra. Ata rrisin energjinë elektrike, ne do të rrisim çmimin e bukës”, thotë Shehaj.
Pas disa takimeve që zhvilloi me drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për këtë situatë, Kreu i shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Gëzim Peshkëpia bën të ditur se në to nuk është arritur në një zgjidhje konkrete. Pas dështimit në këto takime prodhuesit e bukës i kanë nisur një shkresë ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri për një zgjidhje institucionale. Shoqata e prodhuesve të bukës propozon që furrat me bazë frigoriferike te paguajnë vetëm 10% te energjisë së shpenzuar me çmimin 14 lekë/kv orë.
Kërkesat e tyre
1. Furrat që nuk kanë bazë frigoriferike për tregtim të vazhdojnë të paguajnë energjinë me 7.6 leke që është vendimi i ERES.
2. Furrat që kanë bazë frigoriferike të domosdoshme për tregtimin e prodhimeve të veta, të paguhet në raportin 90% me 7.6 lekë energjia elektrike dhe 10% të paguhet me 14 lekë, për pjesën që OSSHE pretendon se nuk është prodhim buke.
3. Në këtë propozim prodhuesit duhet të heqin frigoriferët që nuk janë të prodhimit të brumërave siç janë frigoriferët e bulmetrave, pijeve etj.
Kreu i shoqatës së Prodhuesve të Bukës shprehet se edhe furrave të reja që po hapen nuk iu jepet subvencioni, për shkak se kanë në përdorim 2 apo 3 frigoriferë.