TIRANE-Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj mënyrës sesi po realizohet procesi i vettingut, duke u shprehur se po rikonfirmohen në detyrë gjyqtarë të korruptuar. Në një deklaratë për mediat, deputeti Enkelejd Alibeaj denoncoi rastin e gjyqtarit Ilir Toska, i cili e kaloi vettingun, por sipas tij, për të ka një përgjim që tregon se ka marrë para.

Sipas demokratit Alibeaj, gjyqtari Toska u konfirmua në detyrë me urdhër politik të kryeministrit Rama.

“Rama hesht për të mbrojtur gjyqtarët e korruptuar, dhe ata të lidhur me krimin e organizuar. Ne po denoncojmë një rast. Gjyqtari Ilir Toska, kandidati i Ramës për KLGJ është cilësuar nga organet e vlerësimit si papërshtatshëm për detyrën dhe duhej shkarkuar nga organet e vettingut. Por ai u konfirmua në detyrë nga vettingu me urdhër politik të Edi Ramës. Shqiptarët duhet ta dinë se bazuar në dokumente zyrtare, të cilën bazohen në një raport zyrtar të Shërbimeve Inteligjente, ku tregohet se ka një përgjim me zë dhe figurë, se gjyqtari Toska është i përfshirë në korrupsion. Gjyqtari merr para përmes një punonjësi”, tha deputeti Alibeaj.

Sakaq, ai theksoi se ky nuk është rasti i vetëm kur vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë të korruptuar, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se po tenton të kapë sistemin e drejtësisë.

“Ky nuk është rasti i vetëm kur vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë të korruptuar. Rama po tenton të kapë sistemin e drejtësisë për ta bënë atë në shërbim të korrupsionit dhe krimit të organizuar me të cilin Rama po qeveris vendin”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb