KORCE– Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:10, në lagjen nr.7 para Bashkisë së qytetit.
Mësohet se nga të shtënat ka mbetur i plagosur një 38-vjeçar, Erjon Hoxhallari, i cili është dërguar në spitalin e Korçës, dhe thashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime për “BalkanWeb” thonë se fillimisht ka patur një konflikt mes dy personave. Por më pas njëri prej tyre ka nxjerrë armën, duke lënë të plagosur personin tjetër të përfshirë në konflikt.
Policia e mbërritur në vendngjarje ka arrestuar autorin e plagosjes me inicialet D.M, dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë.
Sakaq, në Komisariat u shoqëruan edhe disa persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(BalkanWeb)