TIRANE- Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i PD, Edi Paloka ka thënë se kjo qeveri mbron trafikantët. Duke iu referuar arrestimit dje në Igumenicë nga policia greke të Edmond Begos, pasi rezulton i dënuar nga Italia për trafik droge, Paloka thotë se policia shqiptare mbylli sytë për anëtarin e bandës së Aldo Bares që jetonte i lirë në Shqipëri dhe bënte biznes nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie.

“Edi Rama bashkëqeveris me kriminelë e më pas i shndërron në biznesmenë për të pastruar paratë e pista. Trafikanti ndërkombëtar i drogës, anëtari i bandës së Aldo Bares, jetonte i lirë në Shqipëri, ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi, nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie”- tha Paloka.

Paloka tha se Edmond Bego i njohur edhe me disa emra të tjerë ka lidhje me pushtetarë, ndërsa ka përmendur emrin e Taulant Ballës.

“Çfarë lidhjesh me njerëz të pushtetshëm kanë detyruar Policinë e Shtetit të mbylli sytë dhe të mos shohë një trafikant ndërkombëtar droge që shëtit i lirë nëpër Shqipëri? A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?”- tha Paloka.

Deklarata e plote e nënkryetarit të PD, Edi Paloka:

Prej kohësh është e provuar se gjatë qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria është kthyer në parajsën e krimit të organizuar dhe strehën e sigurt të çdo trafikanti dhe krimineli të dënuar jashtë vendit.

Falë bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin, trafikantë të rrezikshëm droge, vrasës të njohur dhe të dënuar jashtë vendit jo vetëm ndihmohen që të mos vuajnë dënimin, por janë shndërruar në biznesmenë të fuqishëm, që pastrojnë paratë e pista edhe nëpërmjet liçensave dhe tenderave publike.

Mbrëmë vonë u mësua se policia greke ka arrestuar një prej eksponentëve të krimit të organizuar, anëtarin e bandës së Aldo Bares, i dënuar në Itali me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, biznesmenin e lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës, Edmond Bego.

Pavarësisht se ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, trafikanti ndërkombëtar i drogës, anëtari i bandës së Aldo Bares, jetonte i lirë në Shqipëri, ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi, nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie. Nëse Edmond Bego nuk do ishte nisur me pushime në Greqi, sot shqiptarët nuk do të dinin se një kriminel i rrezikshëm, ka vazhduar të pasurohet lirisht duke u lidhur direkt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, edhe pse ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali.

Çdo shqiptar pyet sot, Edi Ramën, Fatmir Xhafajn dhe Policinë e Shtetit:

Si është e mundur që një trafikant ndërkombëtar droge, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane arrestohet nga Policia greke, por jo nga Policia shqiptare?

Si është e mundur që një trafikant i dënuar droge, jo vetëm nuk arrestohet, por bën i qetë biznes në Shqipëri?

Çfarë lidhjesh me njerëz të pushtetshëm kanë detyruar Policinë e Shtetit të mbylli sytë dhe të mos shohë një trafikant ndërkombëtar droge që shëtit i lirë nëpër Shqipëri?

A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?

Partia Demokratike në ditët në vijim do të bëjë transparencë për shqiptarët mbi arsyet se përse ligji nuk ka vepruar ndaj Edmond Begon, i cili njihet me emër tjetër për Italinë, me emër tjetër për drejtësinë, me emër tjetër për biznesin.

Sot kërkojmë edhe nga prokuroria të nisë menjëherë hetimet për të zbardhur arsyet e moszbatimit të ligjit dhe mosveprimit të Policisë së Shtetit ndaj këtij trafikanti ndërkombëtar droge.

Heshtja e prokurorisë do të jetë një tjetër e dhënë që edhe ky organ tashmë është tërësisht në mbështetje të krimit të organizuar dhe jo në luftë me të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: