Lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar me 10 vjet burg nga Tribunali i Hagës për krime lufte, vazhdon me deklarata që bëjnë thirrje për luftë në Kosovë. Madje ai shkon edhe më larg duke synuar që Serbia të marrë edhe një pjesë të Shqipërisë.
Sheshel, përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se Serbia duhet të përgatitet që me luftë sërish ta marr Kosovën, pasi nga atje të tërhiqen forcat e NATO-s.
“Në mënyrë që ta çlirojmë Kosovën dhe Metohinë, ne duhet që me forca të fuqishme ushtarake dhe policore të ndjekim të gjithë shqiptarët që nuk e njohin shtetin serb. Këtë nuk mund ta bëjmë ndersa NATO është atje. Ndërkohë, derisa presim që NATO të largohet dhe të vërsulemi atje, duhet që nën kontroll të fortë serb të mbajmë bile një pjesë të Kosovës”, ka shkruar Sheshel.
Ai më pas ka edhe një mesazh tjetër rreth demarkacionit për të cilin thotë se kjo nuk duhet të ndodhë.
“Nuk duam kurrëfarë demarkacioni me shqiptarët. Ne serbët duhet të bëjmë demarkacionin në Shqipëri me grekët, diku në rripin e Durrësit. Perandoria Austro-Hungareze e krijoi Shqipërinë si një shtet artificial, për të parandaluar Serbinë të dalë në det. Në Shqipërinë e Veriut, është trashëgimia jonë. Atje gjithçka është serbe, edhe toka dhe guri”, tha Sheshel në një postim në rrjetin social.