Greqia i thotë lamtumirë Trojkës dhe zyrtarisht del nga plani i fundit i ndihmës ndërkombëtare që ka shmangur falimentimin dhe daljen nga euro, me koston e reformave të rënda. Pra, epoka e shpëtimeve të BE-FMN ka mbaruar.
Pas Portugalisë, Irlandës, Spanjës dhe Qipros, Greqia ishte anëtari i fundit i Eurozonës që përfitonte nga një program ndihme ndërkombëtare pas krizës.
Siç njoftoi Kryeministri Alexis Tsipras, Greqia tani duhet të “kthehet në një vend normal”. Një normalitet që nuk do të thotë fundi i krizës ekonomike dhe sociale që ka dërrmuar vendin për pothuajse nëntë vjet.
Problemet për shumicën e popullsisë mbeten serioze, papunësia, ulja drastike e pagave dhe pensioneve, vështirësitë për sektorin shëndetësor, arratisja jashtë vendit prej pothuajse e gjysmë milioni grekëve – dhe sipas fjalëve të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Greqisë, Yannis Stournaras , mbetet “një rrugë e gjatë për t’u bërë” për të rikthyer ekonominë.
Republika helenike tani do të ecë me këmbët e veta, por guvernatori, i cili flet për efektet pozitive të masave drastike të vendosura nga tre memorandume për shpëtimin, në veçanti mbi liberalizimin dhe kostot e punës, paralajmëron: “Nuk duhet të kthehemi pas” në angazhimet e marra me kreditorët gjatë tre ndihmave. Përndryshe tregjet – në të cilat Athina tani duhet të mbështetet për të shitur bondet e saj dhe të rifinancojë borxhin – do të “braktisin” Greqinë.
Dhe kjo, shpjegon ai, është veçanërisht e rrezikshme sepse “nëse ekziston një trazirë e fortë ndërkombëtare, qoftë në Itali, ose në Turqi, ose në ekonominë globale, do të përballemi me vështirësi për t’iu drejtuar tregjeve, duke pasur parasysh se ndjeshmëria e letrave me vlerë të Greqisë mbetet e lartë “.
(m.k/BalkanWeb)