SHKUP- Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka uruar besimtarët muslimanë të vendit me rastin e Kurban Bajramit, transmeton Anadolu Agency.
Në një letër dërguar në adresë të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi dhe anëtarëve të Rijasetit të BFI-së, Zaev uron komunitetin musliman me dëshirat që kjo festë të kalojë me bekim dhe shëndet të mirë.
“Uroj që Kurban Bajrami t’u sjellë paqe dhe begati të gjithë pjesëtarëve të fesë islame”, thuhet në urimin e kryeministrit Zaev.
Ai shkruan se kjo festë e mrekullueshme, na rikujton se mirësia duhet të jetë udhërrëfyesi ynë. Ajo na kujton se ne duhet të lëmë gjurmë të thella të mirësisë për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë.
“Ditët e Bajramit janë ditët në të cilat ne kujtojmë vlerat që bart kjo festë e cila lartëson ndihmën dhe solidaritetin me miqtë, fqinjët, dhe të gjithë ata që janë rreth nesh”, tha ai.
“Kurban Bajrami inkurajon të kultivojmë mirësinë ndaj të tjerëve dhe mirësinë ndaj të ndryshmëve. Ky është një udhëzues për qytetarët e Maqedonisë që të vazhdojmë të kultivojmë bashkarisht bashkësinë tonë shoqërore si një shoqëri për të gjithë, si një rrugë të vetme që çon në shtëpinë tonë të përbashkët, ku çdo qytetar ka kushte të barabarta, lumturi dhe realizim të ambicieve”, thuhet në urimin e kryeministrit Zaev.