Në Shqipëri shkova për herë të parë në vitin 1970 me ambasadorin francez Pierre Sebillaud. Rrugën nga Beogradi ku punoja si diplomat italian e bëmë me autoveturë. Edhe pse miku im i shquar ishte i akredituar në të dy vendet, e lamë atë në kufi dhe udhëtuam me një makinë të ambasadës franceze në Tiranë.

Gjatë tre orëve të udhëtimit na ndiqnin agjentë të Sigurimit të Shtetit, i frikshmi Sigurimi, që nuk na u ndanë asnjëherë, edhe kur Pierri e detyronte shoferin shqiptar të bënte pa pëlqimin e tij devijime të vogla gjoja për kryerjen e nevojave urgjente. «Engjëjt tanë mbrojtës» afroheshin menjëherë te vetura jonë duke na rikujtuar me një frëngjishte perfektë se nuk duhej në asnjë rast të devijonim nga itinerari i parashikuar. Gjatë rrugës, pamë jo më shumë se një duzinë veturash dhe pak kamionë. Shumica e shqiptarëve lëviznin me këmbë, të tjerët, më me fat me biçikletë ose me karroca që tërhiqeshin nga kuajt.

Tirana na u duk e rregullt dhe e pastër, por ajo që më çuditi ishte sjellja e banorëve: të gjithë kalimtarët me të cilët kryqëzoheshim në rrugë ulnin kokat ose kalonin në trotuarin tjetër. Pierri më shpjegonte se shqiptarët donin të evitonin të gjitha kontaktet me të huaj, që të mos i shihnin, nga frika se do të merreshin egërsisht në pyetje nga Sigurimi.

Kontakti im i dytë me Shqipërinë daton në vitin 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ndërmjet Romës dhe Tiranës shpërtheu një krizë e rëndë diplomatike kur pesë shtetas anëtarë të familjes Popajt, me origjinë nga Durrësi kërkuan strehim politik në ambasadën italiane në Tiranë. Roma refuzonte me kokëfortësi t’i dorëzonte ata te polica shqiptare. Shefi i qeverisë italiane, Giulio Andreotti vendosi të më dërgonte te vendi i shqiponjave në përpjekje për gjetjen e një rrugëdaljeje nga ajo krizë.

Në fakt, viza e hyrjes as m’u dha dhe as m’u refuzua, por më në fund u vendos që të hiqnim dorë nga ky mision. Pesë vjet më vonë, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe ngjarjeve që ndodhën më pas, qeveria komuniste e Ramiz Alisë dëshironte ta zgjidhte konfliktin me Romën dhe pranoi transferimin e Popajve në Itali. Mirë kjo ndoshta mund të interpretohej si një sinjal për të gjithë ata që donin të largoheshin nga vendi të cilës qeveria shqiptare i druhej gjithmonë.

Në atë kohë, turma të mëdha njerëzish përpiqeshin të hynin në ambasadat perëndimore në Tiranë për të marrë një vizë. Një mijë shqiptarë vinin në ambasadën italiane, shumë të tjerë ndaloheshin nga policia ose tentonin të kapërcenin kangjellat e larta mbrojtëse të këtyre ambasadave.
Më 1991, si Këshilltar Diplomatik i Ministrit të Mbrojtjes u angazhova me përgatitjet për Operacionin Pelican. Mbi 1000 ushtarë italianë transportuan dhe shpërndanë ndihma ushqimore në territorin shqiptar, duke dhënë një kontribut vendimtar për stabilizimin e gjendjes ekonomike të vendit.

Një vit më vonë, shoqërova Presidentin Scalfaro gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Ndërsa, në vitin 1993, u emërova ambasador i Italisë në Shqipëri në një atmosferë tejet të tensionuar. Ai funksion, që e ushtrova për katër vjet rezultoi jashtëzakonisht i ngarkuar dhe shpesh i dhimbshëm ; gjithsesi, më duhet të pranoj dhe vlerësoj faktin se ato ishin vitet më pasionante dhe më të pasura të jetës time. Misioni im diplomatik përfundoi në momentin e shpërthimit të «piramidave famëkeqe financiare», që provokuan pothuajse një luftë civile. Për fat të mirë, gjendja u vu nën kontroll me shpejtësi, falë veprimit të vendosur dhe vendimtar të komunitetit ndërkombëtar, sidomos të Italisë, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve.

Qysh atëherë, nuk jam ndarë më nga Shqipëria. Edhe tani në pension në fshatin e qetë Ombrie, të rrethuar me ullinj mijëvjeçare, vazhdoj të ndjek zhvillimet e vendit ku kam shumë miq. Kështu, p.sh., gjatë viteve 2006 – 2014 isha Rektor i Wisdom University të Tiranës, ku kontribuova për themelimin e tij.

Libri i Sébastien Vilmot, ‘Albanie, la solitude d’un destin’, ( Shqipëria, fati i një vendi të vetmuar) është një ilustrim i shkëlqyer i historisë së mundimshme të atij vendi të vogël, që ka dalë nga mjegulla që e kishte mbuluar gjatë 50 viteve të fundit. I pasur me referenca të shkurtra dhe elokuente, libri jep një panoramë të gjerë të dramaturgjisë së jetës shqiptare: epokës ilire, arritjet e Heroit Skënderbej, Pavarësisë nga sundimi otoman për ta mbyllur me një përshkrim shumë të goditur të ardhjes së komunizmit dhe ingranazhet e diktaturës së Enver Hoxhës.
Për të gjithë ata që duan të kuptojnë ose dhe thjesht të rifreskojnë disa nga faqet me të pabesueshme të historisë evropiane, të lëna për në kohë të gjatë në kufijtë e harresës, nuk ka mënyrë më të mirë se sa të « zhyten » në këtë botim me plot fakte të reja. /Përgatiti për “GSH” Jorgji Kote/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: