Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se kushdo që qëndron pas autorit anonim të një shkrimi në gazetën New York Times që kritikon stilin e tij të udhëheqjes si “meskin dhe joefektiv” përbën një kërcënim për demokracinë. Duke folur në një tubim në shtetin e Montana të enjten mbrëma, Presidenti Trump madje sugjeroi që gazetarët e New York Times-it të gjejnë se kush në administratën e tij flet keq për presidencën e tij. Zyrtarët kryesorë brenda administratës Trump, nga Zëvendëspresidenti Mike Pence e deri tek disa anëtarë të rëndësishëm të kabinetit, mohojnë se kanë autorizuar publikimin e opinionit në fjalë, i cili është bërë shkak për një debat të furishëm në Uashington lidhur me presidencën Trump.
“Operativë të pazgjedhur të shtetit brenda shtetit që kanë agjendat e tyre sekrete janë vërtet kërcënim për demokracinë,” tha Presidenti Trump në tubimin e Montanës.
Ai tha se opinioni i botuar në New York Times shërbeu si bumerang duke e shtuar mbështetjen për të.
Në Florida, nënpresidenti Mike Pence denoncoi anonimin e New York Times-it që e karakterizon Presidentin Trump si “amoral”.
“Kushdo që do të shkruante një shkrim anonim që hedh baltë mbi presidentin, i cili i ka dhënë këtij vendi një rol të jashtëzakonshëm udhëheqës, nuk duhet të punojë për këtë administratë, por duhet të bëjë atë që është e ndershme dhe të japë dorëheqjen.”
Nënpresidenti Pence, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe anëtarë të tjerë të kabinetit ndërmorën gjithashtu hapin e pazakontë, duke dhënë deklarata ku mohojnë se janë autorët e shkrimit, autori anonim i të cilit thotë se është zyrtar i lartë në administratën Trump.
Autori anonim deklaron se ishte pjesë e një “rezistencë të heshtur” brenda administratës Trump që synon të frenojë disa pjesë të agjendës së presidentit dhe “prirjet e tij më të këqia”.
Presidenti e shprehu zemërimin e tij në Twitter dhe në Shtëpinë e Bardhë.
“Askush nuk ka bërë ndonjëherë, në më pak se dy vjet, atë që kemi bërë ne. Pra, kur flitet për një burim anonim brenda administratës, nuk jemi ne që po dështojmë. Është New York Times që po dështon.”
Shumë demokratë shprehën pikëpamje të ndryshme, si senatori Ed Markey i shtetit Massachusetts.
“Pjesa alarmante që ka të bëjë me shkrimin është se dikush në Shtëpinë e Bardhë ka frikë se vendi ynë po dëmtohet çdo ditë dhe mendoj se këtë duhet ta marrim shumë seriozisht”.
Republikanët në përgjithësi po shtrëngojnë radhët rreth presidentit, duke përfshirë edhe kryetarin e dhomës së përfaqësuesve, Paul Ryan.
“Është një person që natyrisht po jeton me pandershmëri. Kjo nuk e ndihmon presidentin”.
Ndikimi i përgjithshëm politik mund të jetë minimal për presidentin, thotë analisti John Fortier.
“Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë mendimin e njerëzve për Donald Trumpin. Ata ose e pëlqejnë ose nuk e pëlqejnë atë; ata e kuptojnë thelbin e gjithë kësaj historie.”
Por të tjerët e shohin këtë ngjarje të fundit si më alarmante, duke përfshirë analistin demokrat, Jim Kessler.
“Ka shumë njerëz në administratën Trump, brenda Shtëpisë së Bardhë dhe brenda rrethit të tij të brendshëm, që thjesht nuk e pëlqejnë atë dhe nuk i besojnë atij dhe mendojnë se ai nuk është i aftë të jetë president.”
Përkrahësit e zotit Trump ka të ngjarë ta shohin ndryshe çështjen, thotë Fortier.
“Do t’i kundërvija kësaj sondazhet e opinionit që tregojnë se votuesi mesatar republikan është në thelb me Donald Trumpin. Ai nuk është president popullor, por gëzon mbështetje brenda bazës republikane”.
Polemikat e ditëve të fundit janë gjithashtu dëshmi e mëtejshme se Presidenti Trump do të jetë tema kryesore në zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin në nëntor./voa