TIRANE– Video ku kryetari i Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi këndon këngë që i thur lavde diktatorit Enver Hoxha, ka prodhuar debate në distancë. Kështu pas thirrjes së deputetit të PD-së Tritan Shehu, që Rama të shkarkonte Peçin, pak më vonë në një prononcim për ‘BalkanWeb’ reagoi kryebashkiaku i Tepelenës.
Peçi pyeti Shehun se pse mungoi në festën e djeshme në Tepelenë, në kuadër të 75 vjetorit të çlirimit të këtij qyteti. ‘BalkanWeb’ ka siguruar një prononcim nga deputeti i PD, Shehu, i cili ka sqaruar edhe mungesën e tij në festimet e djeshme në Tepelenë. Teksa dënonte ngjarjen në fjalë, duke e cilësuar një skandal të rëndë dhe provokim për të gjithë ata që kishin vuajtur nga regjimi komunist, Shehu tha se ftesën e kishte marrë shumë vonë.
Demokrati sqaroi se ftesa i kishte ardhur në një kohë kur kishte planifikuar një vizitë zyrtare bashkë me zotin Lulzim Basha në Maqedoni.
“Ngjarja që ndodhi në darkën zyrtare të djeshme është shumë e rëndë, pasi kryetari i bashkie i thur lavde e diktatorit Hoxha, atij që është shakatar dhe përgjegjës për një diktaturë gjakatare për varfërimin e popullit, shkatërrimit të vendit, që e pësoi edhe populli liridashës si Tepelenës. Dje u tradhtuan idealet e atyre që luftuan për liri, demokraci dhe prosperitet. Ky është gjest i dënueshëm politikisht e moralisht, pasi Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dekomunizimin e vendit përmes rezolutave të KE për këtë çështje. Pra unë mendoj se Rama duhet të shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Tepelenës, për shkelje ligji, për ofendim të kalvarit të madh dhe të egër që pësoi populli i Tepelenës, për ofendim të ish-të përndjekurve politikë. Në lidhje me atë që thotë kryetari i bashkisë për mospjesëmarrjen time dje, unë dua të them se ftesën e mora në më pak se 24 orë nga festimi, në një kohë që unë kisha parashikuar që do të shoqëroja zotin Basha në Maqedoni. Ishte një festë e dërguar thjesht sa për të larë gojën dhe aspak në përputhje me etikën që kryetari i bashkisë duhet të njoftojë me kohë deputetin. I uroj popullit të Tepelenës për ditën e çlirimit dhe uroj që të shpëtojnë nga bëmat e këtij Tërmeti, i cili vetëm po prish imazhin e asaj bashkie vlerash dhe virtytesh”, tha Tritan Shehu për ‘BalkanWeb’.
(ed.me/BalkanWeb)