TIRANË- Dosja e Emiliano Shullazit vijon të jetë një temë e nxehtë edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi ende nuk është përcaktuar emri i prokurorit, i cili do të japë pretencën në seancën e 25 shtatorit.
Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, raporton për “BalkanWeb” se ende nuk është zgjidhur kjo problematikë dhe sipas saj, nuk ka një emër konkret që do të flasë para Shullazit pas 5 ditësh.
Gjithashtu, Lala thekson faktin se ka diskutime dhe po mendohet, që para Shullazit të ulen një grup prej 4 prokurorësh dhe të japin pretencën. Gjatë ditës së djeshme, ishte parashikuar të hidhej shorti për prokurorët, por këta të fundit u larguan nga seanca.
“Çështja e Emiliano Shullazit është tema më e nxehtë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Situata është ende e pazgjidhur, pasi ende nuk është një emër konkret, që do të thotë fjalën e fundit për dosjen e Shullazit. Dje do hidhej shorti, por prokurorët braktisën seancën. Është duke u menduar që para Shullazit të ulen prokurorët më të lartë të Krimeve të Rënda, të ketë një grup prej 4 prokurorësh. Prokurorisë së Krimeve të Rënda i kanë mbetur vetëm 5 ditë kohë dhe duhet një veprim i shpejtë. A do të kthehen prokurorët e vjetër të kësaj çështjes, apo jo, kjo ende nuk dihen se si do të procedohet dhe se sa vite burg mund të jepen”, tha Klodiana Lala.
(n.m/BalkanWeb)