TIRANE– Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha. Vendimi u mor sot nga Kolegji i Pavarur i Apelimit.

Sipas KPA-së, vendimi i dhënë më datë 18 maj të këtij viti nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ishte i drejtë. Kujtojmë se Hoxha kishte ankimuar vendimin e KPK-së, por pavarësisht këtij hapi, ai nuk e kaloi vettingun.

PROBLEMET ME PASURINE
Prej qershorit të vitit 2011, Hoxha ushtronte detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Gjatë shqyrtimit të pasurisë së gjyqtarit, KPK vuri theksin te një pasuri 112 m2 në Tiranë, e cila ishte blerë në shumën 145 mijë euro. Sipas këtij komisioni blerja e apartamentit nuk justifikohej, pasi për të është deklaruar marrja e një kredie si i pastrehë në vlerën 5 milionë lekë dhe mungonte justifikimi i pjesës së tjetër të shumës.

Por sipas avokatit te gjyqtarit Hoxha, klienti i tij kishte marre borxh 28 mijë euro nga kunati i tij për blerjen e këtij apartamenti. Avokati theksoi se gjyqtari Hoxha kishte jetuar në apartamentin e blerë edhe pse nuk kishte shlyer as 1/3 e vlerës.

Një tjetër problematike e konstatuar ka qenë pasuria e deklaruar në vitin 2004, që sipas KPK-së ishte më e madhe se të ardhurat e tij vjetore. Avokati i gjyqtarit pohoi në atë kohe se shtesa në pasuri ka ardhur prej parave që i kanë hedhur në dasmë. Për këtë gjyqtari vuri në dispozicion të trupës gjyqësore edhe videot e dasmave, por kjo provë nuk u pranua nga KPK-ja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: