TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka reaguar sërish, këtë radhë për deklaratën e bërë nga PD pas arrestimit të djalit të deputetit socialist.
Balla thotë se kjo deklaratë e “partisë babalokraktike nxjerr qëllimin e tyre, luftë politike me të vetë dhe PS-në”.
Sipas tij, Luli dhe PD vajzën e dhunuar e duan thjeshtë mish për top në luftën politike. Ndaj ai thotë se mezi po pret përballjen në Prokurori mes tij dhe Lulzim Bashës nisur nga kallëzimi i tij për shpifje.
DEKLARATA E BALLËS
E përshëndes deklaratën e partisë babalokraktike (PD), sepse nxjerr plotësisht zbuluar qëllimin e tyre që nuk ka qenë e nuk është fare drejtësia për vajzën e dhunuar, por lufta e pistë politike me mua dhe Partinë Socialiste!
E di që prej vitesh tashmë jam halë në sy për Saliun, Lulin dhe ca shërbëtorëve ordinerë të tyre, se të them të drejtën ka edhe deputetë të PD që janë njerëz normalë.
Nuk më çudit asgjë që ata thonë, bëjnë, nxisin, thurin apo inskenojnë për të më baltosur e cenuar mua. Siç në fakt ishte shpifja e radhës në qershor me paratë e kapura nga Policia e Shtetit, kur në fund i humbur doli Lulzimi e të cilit do t’i duhet të paraqitet më datë 10 tetor në Gjykatë si i akuzuar.
Por kjo deklaratë sot më ka çuditur pak se është e gjitha në mbështetje të qasjes sonë dhe deklarata konfirmon se Luli dhe PD vajzën e dhunuar e duan thjeshtë mish për top në luftën politike!
Mezi po pres që Prokuroria të fillojë hetimin mbi kallëzimin e depozituar prej meje javën e shkuar dhe të thërrasë edhe të kallëzuarin kryesor, Lulzimin! Jam i sigurt që rezultatet do të jenë të shpejta dhe se regjisori Lulzim bashkë me aktorin e radhës së Babale 2 do të japin llogari para drejtësisë.
Sa për Saliun atë e ka kallëzuar koha dhe s’ia vlen të merremi me të në këtë rast.
(m.k/BalkanWeb)