TIRANE– Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë dhe institucioneve për çështjen e djalit të deputetit Rrahman Rraja, i arrestuar gjatë ditës së sotme për dhunë ndaj ish të dashurës.
Përmes një postimi në Facebook, deputeti thotë se burime të tij të besueshme bëjnë me dije se hetuesit me urdhër të Ramës kanë përgatitur një raport ku e nxjerrin Xhisiela Malokun me probleme mendore dhe haluçinacione, në mënyrë që të rrëzohet dëshmia e saj.
Statusi i plotë:
Burime të besueshme informojnë se mbi vajzën e dhunuar, me urdhër të Edi Ramës, hetuesit kanë bërë një raport duke e nxjerrë me probleme mendore, me haluçinacione, në mënyrë që dëshmia e saj të rrëzohet.
Ky skenar kriminal po bëhet për të mbyllur skandalin e torturimit të një vajzë jetime dhe përfshirjes direkte të Taulant Ballës, krahut të djathtë të Edi Ramës.
Nuk u mjaftuan me fshehjen e krimit, as me faktin që e nxorrën në media për ta poshtëruar, por tani duan ta shkatërrojnë plotësisht duke e nxjerrë të çmendur.
Ndaj, unë do ti bashkohem protestës së shoqërisë civile dhe ju ftoj të jemi të gjithë në mbrojtje të saj, të henen, në orën 17.30, përballë Kryeministrisë.
(BalkanWeb)