Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar sot për denoncimin e nënkomisarit Emiljano Nuhu, i cili ishte i pari që bëri publike çështjen e Xhisiela Malokut.

Prokuroria e Përgjithshme pohon se ka marrë letrën e nënkomisarit dhe megjithëse shkresa është dërguar për dijeni i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e tij se është kërcënuar.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në Prokurorinë e Tiranës ka një procedim ku Nuhu pretendon në kallëzim se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.

Për këtë çështje janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen.

DEKLARATA E PLOTË E PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë saj, është dërguar për dijeni, letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu.
Pavarësisht se shkresa e nënkomisarit Nuhu është e dërguar për dijeni, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën.

Sipas parashikimeve të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është kërkuar të vlerësohet situata e paraqitur nga kërkuesi Emiljano Nuhu.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka informuar se pranë kësaj prokurorie është regjistruar procedimi penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Emiljano Nuhu. Në kallëzim, sikurse në shkresën e dërguar për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen.
Hetimi vijon me intensitet në drejtim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, evidentimit të faktit penal dhe personave të dyshuar si të përfshirë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb