TIRANE-Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur pas dëshmisë që ka dhënë në prokurori për çështjen ‘Xhisiela’.

Balla tha se dha sqarime për kallëzimin që ka bërë ndaj kreut të PD Lulzim Basha, deputeteve Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj si dhe oficerit Emiljano Nuhu dhe gazetarit Basir Collaku, ku i akuzon për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘shpifje’.

Deputeti u shpreh se kjo është një betejë për të vërtetën dhe se ai mban përgjegjësi për kallëzimet penale që ka depozituar. Balla tha se ka depozituar një sërë provash që vërtetojnë se ai nuk ka qenë në Komisariatin e  Fushë Krujës në datën 21 korrik.

Sikur jeni në dijeni për një kallëzim penal në datë 27.9.2018 në fillim në ngarkim të Bashës, Nuhut dhe Collakut, të plotësuar sot në kallëzimet ndaj Alibeajt dhe Palokës dhe besoj që do të plotësojmë nesër në ngarkim të Strazimirit për të cilët u vendosa në dijeni që prokuroria ka ngarkuar procedim penal 02.10.2018. Prokurorja Elsa Miha që dëshmova u informua prej meje për rrethanat në ngarkim të këtyre shtetasve dhe kam depozituar të gjitha provat që plotësojnë kallëzimin tim penal në krye të të cilëve është Basha.

Unë e garantoj publikun, që do ta fitoj këtë betejë jo në interesin tim por të shqiptarëve që nuk duan më këtë lloj politike, që një budalla si Basha hedh një gurë në lum, ndërsa tani ka detyrimin që të vijë këtu dhe të thotë se cfarë provash ka për t’u mbrojtur në kallëzimin ndaj tij. Basha është akuzuar edhe për shpërdorim detyre. Ka ardhur momenti që kësaj politike që degradon dhe shpifja me qëllim duhet të marrë fund. Unë kam ardhur për të depozituar një dosje provash që justifikojnë kallëzimin tim. Unë kam bërë kallëzim, nëse është i rremë unë mbaj përgjegjësi“- tha Balla.

Oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu pretendon se u kërcënua me armë në praninë e Taulant Ballës, Rrahaman Rrajes dhe Artur Bushit më 21 korrik në komisariatin e Fushë-Krujës për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb