TIRANË- I riu Fabian Gaxha që mbeti i vrarë mbrëmë në Tiranë gjatë një konflikti në Bllok nuk ishte i panjohur për policinë. “BalkanWeb” mëson se viktima ishte në kërkim nga policia për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, pasi qëlloi me armë 30-vjeçarin Andi Spahiu, ngjarje e ndodhur më 27 gusht në Tiranë në rrugën “Tasim Shehu”.
Ky i fundit rezultoi një shpërndarës droge që gjithashtu u arrestua pas ngjarjes edhe pse u plagos me katër plumba.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar Spahiut iu gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale disa doza me lëndë narkotike të dyshuar të llojit Heroinë, ndërsa dyshohet se punonte për një person tjetër. Ngjarja dyshohet se kishte të bënte pikërisht me prishje pazaresh droge.
28-vjeçari Gaxha ishte identifikuar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj jetës dhe pronës dhe shpallur në kërkim për veprën penale të “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Fakti që ishte në kërkim shpjegon dhe ngatërrimin e identitetit të viktimës në orët e para pas ngjarjes së natës së kaluar. Kjo pasi Fabian Gaxha kishte në makinë një kartë identiteti të vëllait të tij Rigers Gaxha, dokument që me sa duket e ka mbajtur për t’i shpëtuar policisë, por për fat të keq nuk mundi t’i shpëtonte plumbave.
(m.k/BalkanWeb)