TIRANE – Ai është vetëm 16 vjec, dhe prej tre vitesh lufton ngacmimet që i vijnë cdo ditë nga shokët e tij të shkollës. Përpara kamerës së News24 gjimnazisti pranon se është i prekur nga bulizmi. Ngacmimet ndaj tij janë verbale, ndonjëherë edhe fizike dhe për të gjitha rastet adoleshenti fajëson veten me pretendimin se ndoshta është shumë i qetë.
Bulizmi për të arriti në një fazë që nuk mund ta përballonte, cka e shtyu të kërkonte ndihmë pranë prindërve dhe mësuesve. Por i riu ndjen frikën se gjithcka mund t’i rikthehet përsëri.
Jo vetëm 16-vjecari por edhe adoleshentët e tjerë tregojnë se bullizimi është i pashmangshëm në ambjentet e shkollës duke kërkuar që të gjithë të ndërgjegjsohen për pasojat që sjell.
Të shqetësuar për këtë fenomen, News24 i është drejtuar psikologes së gjimnazit’Sami Frashëri’, Irena Cela. Ajo tregon se vështirësia më e madhe për të kapur raste të bullizmit qëndron në faktin se ngacmime të tilla ndodhin kur mësuesit nuk janë të pranishëm.
Sipas studimeve te “World Vision” vetëm në vitin 2017 , 70% e femijeve në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një herë një formë dhune, ku pjesa më e madhe e tyre kanë frikë të raportojnë rastet e ngacmimit.
(BalkanWeb)