TIRANE– Pavarësisht kërkesës për lirinë, Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg ndaj djalit te deputetit, i arrestuar për perndjekje ndaj ish të dashurës Xhisiela Maloku. Rexhep Rraja nuk mori pjesë në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij.

Në seancën që zgjati më shumë se një orë, avokati Ilir Murati paraqiti provat për lirimin e djalit të deputetit, por Gjykata e Apelit ka rrëzuar pretendimet duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Krujës.

Pas përfundimit të seancës, avokati tha se vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është i ligjshëm dhe gjykata është nën presion mediatik dhe politik.

“Masa e arrestit nuk është e ligjshme. Është një moment që në diktatin e politikës gjykatat nuk japin vendime të drejta dhe të bazuara në ligj me tre argumente kryesore, klienti im nuk kishte asnjë rrezik ikje, pasi është paraqitur disa herë në komisariat. Është paraqitur dhe ditën e arrestimin në komisariatin e Krujës. Ligji nuk e lejon që kur nuk ka rrezik ikje të arrestohet. Momenti i dytë, kur vepra penale nuk paraqet rrezikshmëri të tillë që të arrestohet. Po ashtu dhe kur vetë viktima del përpara jush dhe thotë unë nuk jam e kërcënuar dhe janë të  sajuara nga ana ime dhe janë bërë për motive xhelozie kjo është e vërteta.  Kjo situatë u heporbolizua nga media dhe nga politika dhe media dhe gjykata është nën presion”- tha avokati.

Ndërkohë brenda seancës, avokati mbrojtës i Rrajës pohoi se denoncimi nga Xhisiela Maloku është bërë për motive xhelozie dhe se nuk ka të bëjë fare me përndjekje. Sipas Muratit, vepra penale e përndjekjes nuk qëndron.

“Vepra penale e përndjekjes nuk qëndron. Të shfuqizohet vendimi i gjykatës së Krujës. Të bëhet lirimi i klientit tim Rexhep Rraja. Xhisiela e ka bërë kallëzimin për xhelozi. Rexhepi u arrestua nga presioni politik  dhe ka nënën shumë sëmurë”- tha Murati.

Rrahja Ne Gjyq

Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator, pas urdhrit të Gjykatës së Krujës e cila dha ‘Arrest me burg, në mungesë’ për të riun e akuzuar për ‘përndjekjen’ e ish-të dashurës së tij Xhiseila Malokut. Ndërkohë më 2 tetor, ai doli para Gjykatës në Krujë për t’u njohur me masën e sigurisë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb