NGA ARMIR MEHAJ*

Një ndodhi e pazakontë, por e frikshme i ka ndodhur një shtetaseje amerikane, në Shqipëri. Amerikania e dashuruar pas Valbonës, Catherin Bohne është sulmuar nga një Ari duke shpëtuar mrekullisht nga vdekja. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur disa ditë më parë në Maskollat, një prej bjeshkëve të larta të Valbonës.

Catherin, e dhënë pas natyrës dhe alpeve shqiptare prej vitesh ka nisur një studim mbi Rrëqebullin një prej kafshëve në zhdukje. Për të identifikuar Rrëqebullin, një kafshë e ngjashme me macen, ajo ka vendosur në shumë shtigje malore aparate fotografik, të cilët ajo i kontrollonte periodikisht nëse në fokusin e tyre do të shfaqej kafsha e shumë kërkuar prej saj, e cila në Shqipëri ka dhe statusin e kafshës së mbrojtur. Dalja e radhës në pyll për amerikanen që aq shumë ka bërë për Valbonën për pak sa nuk ka rezultuar fatale.

Teksa ecte shtigjeve në lartësitë e Alpeve Shqiptare, Catherin ka parë një ari i cili ka goditur disa herë atë por fatmirësisht ka mundur ti shpëtojë fundit tragjik. Banorë të luginës së Valbonës bëjnë të ditur se Bohne i është nënshtruar një terapie intensive dhe se ka pësuar disa plagë.

Aktualisht mësohet se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe me tu shëruar duket se do të rikthehet në bjeshkë duke mos hequr dorë nga Valbona e nga pasioni i saj për kafshët, ndonëse tani ka kuptuar se duhet të jetë më e kujdesshme.

Catherin Bohne erdhi si turiste në Valbonë në vitin 2009, por aq shumë u dashurua pas alpeve shqiptare sa vendosi të mos kthehet kurrë më në Amerike, përveçse si vizitore. Ajo prej vitesh jeton në familjen Selimaj ku bashkëjeton me njërin prej djemve të kësaj familje i cili ishte dhe udhërrëfyesi i saj kur ajo erdhi për të parën herë për Valbonën. Catherin ka kontribuuar shumë për zonën jo vetëm si biologe por edhe duke i mësuar gjuhen angleze të rinjve, çfarë ka krijuar dhe lehtësi për komunikimin e tyre me turistët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: