SHKODËR
Qyteti i Shkodrës është tronditur mesditën e sotme nga një krim i dyfishtë. Fatos Ferracaku dhe Fatmir Mehaj janë qëlluar me armë zjarri dhe janë dërguar në spital por më pas 42-vjeçari Ferracaku ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve të marra. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Rus” në prani të dhjetëra personave dhe në një kohë kur Markata është plot me qytetarë.
Ferracaku dhe miku i tij ishin tregtarë të peshkut, ndërsa kur janë qëlluar po pinin kafe në një lokal tek Markata në Shkodër.
Paraprakisht dyshohet se është qëlluar me breshëri plumbash. Policia ka rrethuar zonën dhe po merr në pyetje dëshmitarët për të zbardhur krimin e rëndë. Në qytet janë ngritur postblloqe më kapjen e personave të dyshuar apo me armë. Policia thotë se ka gjetur dhe një mjet motoçikletë të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët, në lagjen ‘Guerrile”.
Informacion paraprak
Sot rreth orës 11:15 në lagjen “Partizani” në vendin e quajtur ‘Merkata Rus’, dyshohet se dy persona me motoçikletë kanë qelluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit F.V. 31 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Nga të shtënat është plagosur dhe shtetasi F.M., i cili ndodhet jashtë rreziku për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH Shkodër ka ngritur pika kontrolli dhe në gjithë zonën ku dyshohet se janë larguar autorët.
Policia ka gjetur dhe një mjet motoçikletë të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët, në lagjen ‘Guerrile”.
Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia e Shkodrës fton çdo qytetar që ka informacion dhe mund të ndihmojë, të telefojnë falas në nr 112!
Në dokumentet zyrtare viktima e atentatit e ka mbiemrin “Verracaku”, por në Shkodër nga të gjithë njihet me “Ferracaku”, ashtu si edhe viktima e atentatit më 1 shtator, biznesmeni Arjan Ferracaku.
(m.k/BalkanWeb)