TIRANE
“Për fat të mirë unë nuk merrem as me tendera e as përfitoj nga punët publike të qeverisë. Për këtë arsye, varësia ime nga politika është inegzistente. Kjo qeveri i ka bllokuar edhe reklamat shtetërore. Marrëdhënie ime me qeverinë nuk është shumë e fortë. Jam duke folur për median që unë drejtoj, pra media si institucion dhe jo si Carlo”. Kështu u shpreh botuesi Carlo Bollino në ‘A Show’ në “News 24”.
Por ai ka një shpjegim për lidhjen personale që ka me kryeministrin. “Si Carlo unë kam një lidhje shumë të rrallë me kryeministrin sepse e njoh Ramën kur ishte kryetar bashkie dhe nuk kishte asgjë fare në dorë. Por kam pasur marrëdhënie personale edhe me Berishën. Udhëtimi i parë që Berisha ka bërë në Itali, unë e kam takuar tek dhoma e tij në hotel. Më pas situata u tensionua midis institucioneve e më pas kaloi në fazë personale kur ai më dëboi nga shteti dhe më shpalli si person “Non-grata”, si një kriminel ordiner”, -tha Bollino.
I ftuar në pjesën e parë të këtij programi, Bollino analizoi mbulimin mediatik të ngjarjes kryesore të javës, protesta e banorëve të unazës së re. Bollino foli për problematikën me të cilën përballet media dhe raportin e saj me të vërtetën.
Duke folur për marrëdhënien me Partinë Demokratike tashmë të drejtuar nga Lulzim Basha, botuesi Bolino, shpreh shqetësimin se media që ai drejton është përfshirë në “listën e zezë” të PD-së që do të thotë se të gjithë zyrtarët e kësaj partie refuzojnë të shkojnë në median e tij. “Për ne si televizion, PD e ka kaluar në personale. Ata na kanë futur në ‘listën e zezë’. Kjo është një përpjekje që e ka bërë edhe Berisha para 2005. ‘News24’ ka zbuluar fushat e para në Lazarat dhe për këtë arsye PD më shpalli luftën publike dhe na vendosi në ‘listën e zezë’.”, -pohoi Bollino.
(ed.me/BalkanWeb)