Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla thekson se është shumë e rëndësishme të nisë sa më shpejt dialogu me studentët. Deklaratat Nikolla i dha në një lidhje telefonike për News24.

“Ne do të ecim përpara me komunikim për të adresuar të gjitha shqetësimet që studentët kanë. Nuk dua të komentoj ngjyrimet politike. Në sytë e mi sot prevalojnë studentët dhe shqetësimet e studentëve. Shqetësimet e studentëve janë shqetësimet e mia” theksoi Nikolla

Përgjysmimi i tarifave studentore

“Të ulemi ta diskutojmë me rektorët e dekanët, pasi tarifat nuk përcaktohen nga qeveria por nga institucionet e arsimit të lartë. Kemi dëshirën për një proces konkret për shqetësimet që ata kanë”.

Kërkesë dhe ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë

“Nuk ka reformë perfekte, por çdo gjë është e mundur kur ka komunikim dhe dialog”

Nëse studentët nuk ulen për komunikim..?

“Nuk dua të ngre hipoteza mbi një shtresë që është pasuria e kombit. Ata janë djem e vajza të rritur në demokraci që e dinë që komunikimi e konsensusi janë armët më të forta”.

Mendoni se kjo protestë është apolitike?

“Nuk dua të komentoj fare ngjyrimet politike, i kam ndjekur dhe reagimet politike. Por ajo që më shqetëson janë vetëm kërkesat e studentëve. Ato janë kryesorja”.

Nëse do ulen tarifat si do bëhet kompesimi?

“Nuk është një përgjigje që jepet me një fjali, por do flasin specialistët, studentët e familjet”.

A e keni menduar dorëheqjen ?

“Kam menduar shumë gjëra por ajo që shqetëson është zgjidhja e problemit dhe studentët të kthehen sa më shpejt në klasa”

Çfarë bisedash keni bërë me Ramën?

“Rama ndjek me shumë shqetësim dhe seriozitet protestën. Patjetër që ka komunikim dhe kryeministri është i hapur për komunikim e dialog me studentët. Nuk flasim për negociata, flasim për komunikim për të ecur para me shumë çështje që studentët ngrejnë,” u shpreh ministrja Nikolla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb