TIRANE
Pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku u zgjodhën anëtarët e këtyre dy institucioneve, vjen reagimi nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Kjo e fundit përmes një postimi në ‘Facebook’ ka përgëzuar prokurorët dhe gjykatësit që sipas saj zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë.
Mes të tjerash ambasada e SHBA thekson se tashmë aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi. Sipas ambasadës së SHBA, “Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në mesazh.
REAGIMI I AMBASADËS
?? | Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë mirëpret krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ne përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, e cila zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor. Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të mundësojë tani krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Këto institucione të drejtësisë janë të gjithë gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë.
Aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të angazhuara në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë.
(ed.me/BalkanWeb)