TIRANE

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susane Schutz si dhe ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca kanë zhvilluar një takim me kreun e PD, Lulzim Basha në selinë blu. Fillimisht Basha ka pritur në takim ambasadoren gjermane dhe më pas edhe ambasadorin e BE në Tiranë.

Pas takimit, duke iu referuar protestës se opozitës tek parlamenti, ambasadori i BE ka thënë për gazetarët se nesër është një ditë e rëndësishme dhe ndërkombëtarët presin të mos ketë akte dhunë.

Fola me të dyja palët dhe u thashë kushtin që ka qartësuar BE. Fola me Bashën dhe theksova rëndësinë e dialogut. Mendoj se nesër është një ditë e rëndësishme ne presim të mos ketë akte dhune dhe të ndiqen proceset demokratike”- është shprehur Luigi Soreca.

Takimi mes ambasadorëve dhe Bashës ka ardhur pas vendimit për djegien e mandateve nga opozita.   Ditën e djeshme PD mblodhi Kryesinë e cila zgjati rreth 2 orë. Pas mbledhjes së kryesisë, Basha foli për mediat, ku njoftoi se Kryesia ka vendosur djegien e mandateve.

“Mbledhja e Kryesisë së PD sapo përfundoi me votë unaime u miratua vendimi për djegie mandatesh”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha shtoi se djegia e mandateve nuk është një qëllim në vetvete, por fillimi i një sfide e cila synon të garantojë një qeveri për njerëzit, e jo për krimin.

“Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Djegia e mandateve është alternativa e  fundit që i është lënë opozitës që të arrijë një qëllim madhor. Të shembë një qeveri të krimit dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit”, tha Basha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb