TIRANË

Pas vendimit të Këshillit Kombëtar pro djegies së mandateve parlamentare, deputetët e PD kanë nisur të nënshkruajnë dorëheqjen. Gazetari Klajdi Bodlli ka siguruar për “BalkanWeb” dokumentin që kanë firmosur secili nga deputetët e PD dhe ata që janë në listën e kandidatëve. Mësohet se ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë i pari që ka kërkuar të firmosë dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar Kuvendit të Shqipërisë renditen dhe arsyet e këtij vendimi, të artikuluara dhe më parë nga PD.

“Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi për shkak: të asgjësimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës; të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare; të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale;
të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë; të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës.
Duke mbajtur në konsideratë se për këto shkaqe është krijuar një situatë e paprecedentë e krizës ekonomike, emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale e mjerimit social;
Duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentar.
Unë…, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke e vlerësuar si të pamundur vijimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, në mbështetje të shkronjës ‘b’, pika 2, e nenit 71 të Kushtetutës, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Një nga deputetët parë që firmosi ishte dhe Ervin Salianji.

  • foto galeri
  • foto galeri

Këshilli Kombëtar vendosi pasditen e sotme unanimisht për djegien e mandateve parlamentare të deputetëve. Ndërkohë kryetari i PD, Lulzim Basha pas vendimit foli para qindra mbështetësve dhe tha se do i shkohet betejës deri në fund.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb