TIRANË
Ambasadori i Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo deklaron se liria e shprehjes nuk mund të justifikojë deklaratat që nxisin dhunën. Ai thotë se shpreson që protesta nesër të jetë paqësore dhe se çdo shprehje e dhunshme do të dënohet nga pala italiane.
“Protestat janë një mjet ligjor i shprehjes së shoqërisë demokratike, por liria e shprehjes nuk mund të justifikojë deklaratat që nxisin dhunën dhe akoma më pak akte të dhunshme. Shpresoj që protestat e nesërme të jenë paqësore dhe të ruhet respekti për institucionet e shtetit. Çdo shprehje e dhunshme e pakënaqësisë do të dënohet me vendosmëri nga pala italiane”, deklaron Cutillo.
Ndërkohë në faqen e ambasadës italiane në “Facebook” i bëhet thirrje shtetasve italianë të kenë kujdes nga protesta e nesërme e opozitës.
“Njoftim për qytetarët italianë rreth protestës së planifikuar në Tiranë të enjten 21 shkurt 2019.
Të enjten më 21 shkurt 2019, duke filluar rreth orës 10:00, do të ketë një proteste politike rreth Parlamentit (zona pedonale ‘George Bush’ dhe Bulevardi Zhan D’Ark) dhe kjo mund të prekë të gjithë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Rekomandohet që të qëndroni larg nga zona në fjalë, të shmangni tubimet, të ndiqni përditësimet përmes shtypit dhe në përgjithësi, të keni kujdes maksimal.
Gjithashtu duhet të theksohet se ngjarja mund të ketë pasoja në aksesin rrugor në qytet”, thuhet në njoftimin e ambasadës italiane.
(m.k/BalkanWeb)