SHKUP – Stema e re e Republikës së Maqedonisë ka hapur debate mes qeverisë dhe opozitës si dhe mes partive shqiptare. Në stemë paraqitet një luan, që sipas partisë shqiptare BDI përfaqëson të gjithë popujt dhe kulturat e Maqedonisë, një ide që hidhet poshtë nga partia tjetër shqiptare PDSH. Sipas opozitës, në fakt stema me luan i ngjason stemës së partisë së kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE.

Sipas arsyetimit të Qeverisë, disejni i ri i luanit të kuq bazohet në stemat historike, ilustrimeve të Verlandit nga viti 1481 dhe stema e Baroadit nga 1581 e cila përmes stemografive të Vitezoviqit në vitin 1964 dhe Zherafoviqit në vitin 1741 u bë stemë e Maqedonisë. Kurora e verdhë e artë, e cila është zbukuruar me margaritarë dhe rubinë, duhet të simbolizojë rendin republikan të shtetit.

BDI: Stema, ndërthur të kaluarën e përbashkët të të gjitha popujve
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari i cili ka qenë një nga ministrat që kanë mbështetur stemën e re jep versionin e tij të arsyetimit se përse është mbështetur kjo stemë.
“Pamja e stemës së re në vete ndërthur të kaluarën e përbashkët të të gjitha popujve dhe kulturave në vendin tonë si dhe idenë e orientimit demokratik evropian. Duke u kujdesur për atë që bashkon dhe duke patur parasysh elementet e heraldikës së stemave edhe evropiane, propozimi i qeverisë së Maqedonisë për Stemën e re paraqet luanin e kuq ne një sfond të verdh, simbole këto qe i hasim që nga antika e deri te familjet e mëdha feudale shqiptare. Kurora e kalasë me pesë elementet përcjellëse simbolizon bashkëjetesën e kulturave dhe qytetërimeve iliro-dardane, prandaj me bindjen më të mirë se jemi duke bërë propozim të qëlluar dhe të qëndrueshëm shpresoj se edhe debati publik që do organizohet me këtë rast do e arsyetojë nevojën e sjelljes së këtij ligjit aq të rëndësishëm për rrumbullakësimin e shtetformësisë së RM-së. Me qëllimin më të mirë dhe përcaktimin e paluhatur për të patur një proces krejtë transparent dhe kontribues në emër të ministrisë së drejtësisë si propozues formal mirëpresim çdo mendim, ide e sugjerim që do të dalë nga diskutimi i gjerë dhe gjithëpërfshirës”, – deklaroi ministri Jashari, duke shpalosur edhe qëndrimin e partisë së tij BDI.

PDSH: Stema një simbol partiak dhe tërësisht njëetnik
Komente dhe reagime rreth stemës së re kanë pasuar edhe nga PDSH. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Imer Aliu ka theksuar se stema e re është një simbol partiak dhe tërësisht njëetnik.
“A ja vlejti? Kjo pyetje është për ata 153.000 votues të BDI-së, apo më saktë ata shqiptarët në këtë numër. A ja vlejti t’i jepet vota BDI-së që për çdo ditë të poshtëron, të nënçmon, të bën të ndjehesh i pavlerë, që të vjedh e të mashtron. Një poshtërim i madh ndaj shqiptarëve ka ndodhur në mbledhjen e fundit të qeverisë ku partnerët VMRO-BDI paskan miratuar vendim për ndyshime të reja kushtetuese me çka propozohet Stemë e re shtetërore me luanin në te. Me këtë stemë Jo që nuk bëhet deetnizimi i simboleve shtetërore por ndodh e kundërta, propozohet një simbol partiak dhe tërësisht njëetnik për simbol shtetërorë!”, deklaroi Imer Aliu.
Sipas tij, “si zakonisht pas një dëmi të bërë nga ana e BDI-së, në ditët në vijim do ndjekim tentimin për të shpëtuar nga kjo situatë, jo me tërheqje të përkrahjes por me “shqiptarizim” të luanit!”

LSDM: Me stemën tentohet të defokusohen problemet reale
LSDM ka vlerësuar se me stemën e propozuar, qeveria po tenton për të shmangur vëmendjen nga problemet reale që kanë qytetarët.
“Në kohën kur vijon kriza politike dhe mungesa e opozitës në Kuvend, Qeveria hap çështjen e stemës së shtetit, me qëllimin e vetëm që të heqë vëmendjen nga aferat e mëdha dhe skandalet ku është e përfshirë”, thuhet në deklaratë.
Sipas LSDM, qytetarët kanë probleme më të rëndësishme se stema e shtetit, sikundër janë “varfëria, sistemi i arsimit, mungesa e mbrojtjes shëndetësore, ajri i ndotur, mungesa e demokracisë…”

(er.nu/ina/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: